Njoftohet se policia izraelite ka arrestuar nëntë palestinezë në zonat Beit Hanina dhe Silvan të Kudsit Lindor të pushtuar.

Në një deklaratë me shkrim, Shoqata e të Burgosurve Palestinezë njoftoi se tetë palestinezë janë arrestuar nga policia izraelite në Beit Hanina, në veri të Kudsit.

Sipas një dëshmitari okular në rajon, policia izraelite po ashtu arrestoi një palestinez 16-vjeçar në lagjen Silvan, pranë Mesxhid al-Aksasë.

Dëshmitarë okularë thanë gjithashtu se në Jabal Mukabbir në jug të Kudsit shpërthyen incidente mes forcave izraelite dhe disa të rinjve palestinezë. Forcat izraelite përdorën gaz lotsjellës kundër palestinezëve dhe qëlluan me plumba në ajër.

2 sulme në Kudsin Lindor pas sulmit izraelit në Jenin

Në bastisjen e kryer nga ushtria izraelite në kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar më 26 janar, u vranë nëntë palestinezë, përfshirë një grua 60-vjeçare. Në incidentet që shpërthyen në rajon pas bastisjes, vdiq një palestinez 22-vjeçar në Er-Ram të Kudsit Lindor të pushtuar.

Të premten në mbrëmje, në një vendbanim të paligjshëm hebre në Kudsin Lindor të pushtuar, shtatë persona u vranë dhe tre tjerë u plagosën në një sulm të armatosur. Policia izraelite njoftoi se ka ndjekur sulmuesin i cili u largua nga vendi i ngjarjes me makinë dhe e ka neutralizuar atë.

Ndërkaq, dy izraelitë u plagosën në një sulm të armatosur që ndodhi sot në lagjen Silvan, pranë qytetit të vjetër të Kudsit Lindor. Policia izraelite njoftoi se sulmuesi u neutralizua.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re