Policia izraelite ka ndaluar hyrjen e ambasadorit të Jordanisë në xhaminë Al-Aksa të Kudsit.

Siç raporton gazeta izraelite “Yedioth Ahronoth”, oficerët izraelitë ndaluan ambasadorin Ghassan Majali dhe drejtorin e përgjithshëm të Departamentit të Vakëfeve Islame në Kuds, Sheik Azzam Al-Khatib, në hyrje të portës dhe u kërkuan atyre të paraqesin lejen për hyrje.

Ambasadori nuk pranoi të presë dhe vendosi të largohet. Thuhet se Majali u kthye tre orë më vonë dhe u fal në xhaminë Al-Aksa si dhe vizitoi kompleksin.

Jordania thirri ambasadorin izraelit për të protestuar kundër pengimit policor të të dërguarit të mbretërisë në Al-Aksa.

Sipas transmetuesit publik “KAN”, policia izraelite tha se diplomatit jordanez nuk iu refuzua hyrja, por u vonua për një kohë të shkurtër nga hyrja.

Jordania ka qenë kujdestari zyrtar i vendeve të shenjta muslimane dhe të krishtere në Kuds që nga viti 1924 dhe publikisht është vlerësuar si kujdestari i vendeve të shenjta të Kudsit.

Al-Aksa për muslimanët përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë pas Mekës dhe Medinës ndërsa hebrenjtë këtë zonë e quajnë Mali i Tempullit duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor ku dhe ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Izraeli aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 në një lëvizje që kurë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re