Kontrolle intensive janë kryer gjatë fundjavës, për parandalimin e ndotjes akustike. Mësohet se janë proceduar penalisht 7 persona, pronarë dhe menaxherë të disa lokaleve. Kjo pasi kanë prishur qetësinë publike duke shqetësuar banorët, pasi kishin vënë muzikë të lartë në ambientet e lokaleve të tyre.

Sakaq, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisjet që gjenerojnë muzikën.

Njoftimi i Policisë:

Gjatë kontrolleve evidentohen 7 raste dhe procedohen penalisht 7 shtetas, pronarë dhe menaxherë të disa subjekteve, që prishën qetësinë publike duke shqetësuar banorët, pasi kishin vënë muzikë të lartë në ambientet e lokaleve të tyre.

Sekuestrohen pajisjet që gjenerojnë muzikën.

Komisariatet në varësi të DVP Tiranë në vijim të kontrolleve për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë mbledhjes me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë, kanë intensifikuar kontrollet gjatë fundjavës, me qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të banorëve, nga muzika e lartë në lokale.

Gjatë kontrolleve, në disa lokale në zona të ndryshme të Tiranës, shërbimet e Policisë kanë konstatuar muzikë të lartë që përbënte shqetësim për banorët dhe kanë shoqëruar në komisariate menaxherët dhe pronarët e këtyre lokaleve.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku u proceduan në gjëndje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetesisë publike”, shtetasit 24 vjeç, 30 vjeç, 29 vjeç, 38 vjeç, 33 vjeç, 40 vjeçe, dhe 39 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisjet që gjenerojnë muzikën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re