Policia e Shtetit ka vijuar dhe sot me riatdhesimet e qytetarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE. Në një njoftim për mediat, Policia ka bërë me dije se janë zhvilluar dy operacione dhe janë kthyer 104 persona. Më tej bëhet me dije se intervistat e thelluara me të gjithë të riatdhesuarit, janë bërë në kushte të rrepta të marra për parandalimin e përhapjes së virusit, të gjithë shtetasit e riatdhesuar janë lënë të lirë.

“Operacionet e riatdhesimit do vijojnë edhe në javët e ardhshme dhe Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë edhe njëherë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë me rigorozitet rregullat për  të lëvizur dhe qëndruar në vendet e BE-së dhe të mos tentojnë e të mos bëjnë asnjë shpenzim për të kërkuar azil, pasi shanset për ta fituar atë janë zero”, shkruhet nw njoftim.

NJOFTIMI I PLOTË

Vijojnë operacionet e riatdhesimit nga vendet e BE-së. Gjatë dy operacioneve të zhvilluara ditën e sotme, riatdhesohen nga Franca dhe Gjermania 104 shtetas shqiptarë, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen dhe kishin kërkuar azil. Në vijim të operacioneve të përbashkëta të riatdhesimit, të zhvilluara nga Policia Kufitare shqiptare, në bashkëpunim me Frontex-in dhe vendet e BE-së, për riatdhesimin e të gjithë atyre shtetasve të cilët nuk kanë respektuar rregullat e qëndrimit në hapësirën SCHENGEN, si dhe një pjesë e tyre kanë kërkuar dhe azil, sot janë realizuar dy fluturime charter.

Rreth orës 13:30 u riatdhesuan me fluturim charter nga Lille, Francë, 48 shtetas shqiptarë, nga të cilët 43 nga Franca dhe 5 nga Belgjika. Gjithashtu, po sot, rreth orës 14:45, u riatdhesuan me fluturim charter nga Gjermania, 56 shtetas shqiptarë, të cilët kishin kërkuar azil në Gjermani. Pas intervistimeve të thelluara, të zhvilluara nga specialistët e Policisë Kufitare Rinas, në kushte të rrepta të marra për parandalimin e përhapjes së virusit, të gjithë shtetasit e riatdhesuar janë lënë të lirë.

Të gjithë këta shtetas, në zbatim të urdhrit nr. 641, të Ministrit të Brendshëm, lëshuar më datë 20.12.2019, nuk lejohen më të udhëtojnë në vendet e BE-së, për tre vjet, që prej datës së kthimit deportiv. Operacionet e riatdhesimit do vijojnë edhe në javët e ardhshme dhe Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë edhe njëherë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë me rigorozitet rregullat për  të lëvizur dhe qëndruar në vendet e BE-së dhe të mos tentojnë e të mos bëjnë asnjë shpenzim për të kërkuar azil, pasi shanset për ta fituar atë janë zero.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re