Ministrat Belinda Balluku dhe Bledar Çuçi prezantuan këtë të premte 10 automjetet e reja, të cilat i dhurohen Policisë së Shtetit nga ARRSH, përmes projektit të përbashkët me Bankën Botërore për sigurinë rrugore.

Makinat janë të pajisura me sistem radari për monitorimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve të cilët konstatohen në shkelje të rregullave të qarkullimit.

“Do të identifikojnë shpejtësinë dhe i gjithë ky informacion shkon menjëherë te gjoba. Kanë radar të inkorporuar”, tha Çuçi.

Ministrja Balluku tha se bashkëpunimi i të gjitha institucioneve, si dhe mjetet e duhura, janë një element i rëndësishëm për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Në këtë pikë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se duke nisur nga java e parë e muajit korrik, dy akse të reja rrugore do të jenë të hapura për qarkullimin e automjeteve, aksi Kardhiq-Delvinë dhe bypass-i i Vlorës, duke kërkuar bashkëpunimin e Policisë Rrugore për monitorimin e këtyre akseve, duke qenë rrugë të reja dhe disi të panjohura nga drejtuesit e automjeteve.

Ministri Çuçi duke u ndalur tek statistikat bëri të ditur se pavarësisht rritjes së ndjeshme të numrit të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit, numri i aksidenteve me pasoja fatale ka ardhur duke u ulur falë edhe masave të ndërmarra përmes monitorimit dhe ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve të cilët shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Përmes këtyre 10 automjeteve të reja, shtoi ministri i Brendshëm, do të bëhet e mundur një monitorim akoma edhe më efikas i akseve rrugore.

“Është një hap tjetër drejt modernizimit, përdorimit të teknologjisë në rritjen e sigurisë rrugore që ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e Qeverisë sonë. Ne kemi bërë shumë, mjafton t’ju sjell këtu vetëm disa statistika që vijnë nga aksidentet me pasojë vdekjen dhe po marr vetëm vitin 2018 dhe vitin 2021 duke u krahasuar me veten tonë, se nuk bëhet fjalë për 2013-ën, nuk diskutohet.

Në 2018-ën ne kemi pasur rreth 570 mijë makina në qarkullim dhe kanë qenë 213 aksidente me pasojë vdekjen. Në 2021 kemi pasur rreth 740 mijë makina dhe kemi pasur 197 aksidente me pasojë vdekje. Pra indeksi i vdekshmërisë ka rënë ndjeshëm vetëm në këto vite. Kjo flotë pa diskutim që do ndikojë për ta rritur më shumë sigurinë rrugore.

Ne vetëm me një automjet që pajisëm dhe e bëmë automjet inteligjent para 10 muajsh kemi pasur rezultate fantastike përsa i takon identifikimit të personave që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, kryesisht ato që lidhen me shpejtësinë dhe i ka gati dyfishuar gjobat për këtë qëllim”, deklaroi Çuçi.

Sistemi i radarit i montuar në automjetet e reja të cilat ju dorëzuan Policisë së Shtetit bëjnë të mundur dedektimin e automjeteve me shpejtësi të lartë duke dokumentuar shkeljen me foto. Kontrollon automjetin dhe dokumentacionin e drejtuesit duke konsultuar sistemet e të dhënave të policisë në kohë reale. Lexon të gjitha targat e automjeteve dhe i krahason me sistemin qendror të targave nëse këto targa janë problematike ose kanë shkelje të mëparshme.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re