Ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj, është shprehur se biznesmeni Ardian Nikulaj që mbeti i vrarë në lokalin e tij në Shëngjin, diku mund t’i ketë prishur balancat politike.

Komentet Hajdarmataj i bëri gjatë një interviste në Panorama TV, ku tha se Nikulaj kohët e fundit kishte pasur konflikte me kundërshtarë politikë dhe sipas tij, dyshohet se lëvizte me makinë të blinduar.

Ai tha se ngjarja në Vaun e Dejës, ku ju vendos tritol kreut të degës së PD-së atje, deri më tani ka vetëm konotacion politik, pasi nuk ka asnjë pistë tjetër hetimi.

Ai shtoi se policia nuk mund të fshihet ferrave e të merret e të presë të kapë ndonjë makinë që qarkullon me shpëjtësi, por duhet fillimisht të merret me këto probleme reale të rendit.

“Mendoj se të paktën edhe një tjetër person ka qenë. Nuk mund të jetë vetëm një person që të bëjë të mundur organizimin e atentatit. Të paktën një tjetër person e orienton dhe i jep koordinatat e sakta atentatorit. Aspekt tjetër është aspekti politik. Në 2021 ka qenë kandidat për deputet i PSD-së. Fakti që ka kaluar filtrin e KQZ-së në 2021, mendoj se nuk ka të bëjë me begraunde kriminale, etj.

Në aspektin politik, unë do të thoja se në njëfarë mase i ka prishur balancat politike. Nga informacionet që kemi, Nikulaj ka mbështetur herë një krahë e herë tjetrin. Në 14 maj ai po mbështeste kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kjo pastaj i jep pak ngjyrim politik kësaj pune.

Unë do të sugjeroja që grupi hetimor nuk mund ta anashkalojë këtë pistë. I ndieri aq më tëpër nëse ka informacione e të dhëna se kohët e fundit ka pasur konflikte me disa kundërshtarë politikë. Nëse janë këto lloj fenomenesh më parë, fajsoj policinë e shtetit për ngjarjen. Një person i tillë nga një jetë normale dhe pastaj merr makinë të blinduar, policia duhet ta ketë vëmendjen. Policia duhet të kishte informacion për masat që ai kishte marrë për jetën e tij. Edhe sikur në aspektin njerëzor punonjësi i policisë të shkojë e ta pyesë qytetarin se përse e ka marrë makinën e blinduar. Nëse s’ta thotë arsyen e vërtetë, ti duhet të marrësh informacion se ç’po ndodh. Policia ka mbetur në atë rutinën e para 10 viteve kur unë kam qenë drejtues.

Nuk mund të fshihet policia pas ferrave e të thotë e shkele vijën e bardhë apo nuk e shkele. I shikojnë të rinjtë poshtë pallateve që pinë hashash dhe nuk u bën përshtypje. Arrijnë në vulgaritet dhe shkojnë e u marrin 5 mijë lekësha. Lezha në situate zgjedhore nxehet shumë në kuptimin e luftës politike. Lezha është një zonë që ka pasur ngjarje të vrasjeve politike. Është viti 2013 që është vrarë një pjesëtar i një grupimi politik. Në situate zgjedhore atje aktiviteti kriminal rritet shumë.

Në situate zgjedhore ne ngarkojmë policinë me punë që nuk i takojnë policisë. Gjithë policia angazhohet në takime elektorale. Këto janë ngarkesa që i heqin vëmendjen policisë nga puna e mirëfilltë policore. Në aspektin politik, fatkeqësisht ne jemi mësuar që të futen edhe njerëz me rekorde kriminale. Në zonën e Shëngjinit kemi pasur që të gjithë deputetët ishin subjekt i një ligji, atij të dekriminalizimit. Aktiviteti kriminal në zgjedhjet politike me ato lokale është pak i ndryshëm, Mund të mos jetë shumë i bujshëm, pasi tani janë interesa pak më të vogla. Është një aktivitet që është pak më i mbyllur, sesa në fushën e betejës për deputetë.

Duhet t’i ndajmë gjërat sesi funksionojnë. Vërtet situate e rendit nuk është normale. Ju përmendët disa ngjarje, por të mos harrojmë që kemi një ngjarje shumë më të rëndë në Vaun e Dejës, që deri më tani ka vetëm konotacion politik. Ai kishte mamanë dhe vetë në makinë, që larg qoftë 2 viktima. Ka temperaturë të lartë politikisht aktiviteti kriminal. Ka raste që policia ose prokuroria ka pista hetimore dhe të dhëna, por nuk ka prova. I gjithë informacioni, gjithmonë ka një pistë. Këto pista hetimi mund të jenë edhe të sakta. Por gjetja e provës është pak e vështirë. Kjo është një nga arsyet që të mban peng. Arsyeja tjetër është edhe paaftësia për të kryer hetime. E gjithë kjo teknologji që po përdoret për të bërë hetime, nga kamerat e sigurisë te mjetet e tjera, do të thoja që policia nuk është e zonja dhe nuk i ballafaqon dot këto të dhëna teknologjike. Del një ngjarje, harrohet ajo, del një tjetër dhe hyjmë në një rreth ciklik dhe ne si qytetarë nuk ndihemi të sigurtë”, u shpreh Hajdarmataj.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re