Edhe ditën e sotme kanë vijuar kontrollet nga Policia e Krujës për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19 ku janë ndëshkuar dy pronarë lokalesh që merren me organizimin e eventeve.

Sipas një njoftimi të bërë për mediat, policia bën me dije se janë ndëshkuar me masë administrative me nga 1 milion  lekë, 2 pronarë subjektesh dhe me  mbyllje aktiviteti për një periudhë 6-mujore, 1 prej tyre, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në mënyrë të përsëritur me  Aktin Normativ.

“Shërbimet në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Krujë, subjektin në pronësi të shtetasit L.C., i cili në mënyrë të përsëritur organizonte ceremoni familjare.

Për këtë subjekt, shërbimet e Policisë Krujë, kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore”, thotë deklarata e policisë.

Ndërkohë, për subjektin me pronar shtetasin A.V., shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000  lekë, pasi ka organizuar ceremoni familjare në kundërshtim me Aktin Normativ.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19./faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re