Njësia Operacionale e policisë rrugore e kryeqytetit që zhvilloi për dy ditë kontrolle në akset kryesore të rajonit juglindor nuk ka kursyer me ndëshkimet e saj edhe drejtues të uniformave blu nga Qarku i Korçës.

 

Burime të besueshme që i referohen këtij operacioni, bënë me dije se në rrjetën apo radarët e Task-Forcës kanë mbetur edhe oficerë policie të rangjeve të mesme apo me grada të larta që ushtrojnë detyrën në komisariatet e  Drejtorisë të policisë Korçë.

 

Nuk saktësohet se çfarë masash janë vendosur dhe cilët drejtues policie lokalë u përballën me këtë ‘furtunë’ të Njësisë Operacionale të rrugores. Oficerët e policisë mësohet se janë kapur me shkelje duke udhëtuar me mjete private dhe të regjistruar nga radari nuk kanë patur  mundësi shfajësimi e tolerimi për të shmangur penalizimet.

 

Task-Forca e policisë rrugore të Tiranës u largua nga rajoni i Korçës pasditen e të mërkurës pas një aksioni dy ditor. Nga ana e saj u hoqën të paktën 60 leje drejtimi si dhe u ndërmorën masa të tjera për drejtues mjetesh të kapur me shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re