Agjencia policore e Bashkimit Evropian (Europol) është goditur nga një krizë e madhe pasi dosjet e ndjeshme të zyrtarëve të lartë të policisë janë zhdukur.

Sipas një shënimi të brendshëm, në të cilin portali Politico kishte akses, ato të dhëna, të cilat mbahen të mbyllura dhe me çelës në selinë e Europol-it në Hagë, u zhdukën shtatorin e kaluar dhe në mesin e dosjeve që mungonin ishin dosjet e printuara të drejtoreshës ekzekutive të Europolit Catherine de Bolla, tre zëvendësve tw saj dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.

Dosjet e ndjeshme të printuara të burimeve njerëzore të Europolit mbahen të mbyllura në një kasafortë, në një dhomë të kufizuar për personelin me akses të kufizuar dhe shumë pak njerëz e dinë kodin e kasafortës.

“Më 6 shtator 2023, administrata e Europolit u informua se dosjet personale të disa anëtarëve të stafit të Europolit ishin zhdukur”, thuhet në shënim.

Shtohet se që nga ajo kohë janë përpjekur të vërtetojnë se si ka ndodhur.

“Duke pasur parasysh rolin e Europolit si një agjenci e zbatimit të ligjit, zhdukja e dosjeve personale të anëtarëve të stafit përfaqëson një shkelje serioze të sigurisë dhe të dhënave personale,” thuhej në shënim.

Portali i Brukselit kujton se Europol është një nga agjencitë më të mëdha të Bashkimit Evropian, që koordinon hetimet dhe operacionet kryesore ndërkombëtare me autoritetet policore kombëtare dhe partnerët si Interpoli dhe FBI-ja amerikane.

Portali thekson gjithashtu se disa nga dosjet e zhdukura janë rishfaqur kur një qytetar i ka gjetur të braktisura në një ambient publik në Hagë dhe i ka dërguar në komisariatin e policisë lokale.

Zëdhënësi i policisë së Hagës, Steven van Santen tha se policia ishte e përfshirë në disa detaje në lidhje me hetimin e brendshëm të Europolit në vazhdim.

Dosjet që mungojnë mund të përmbajnë informacion në lidhje me aplikimin për punë të nëpunësit, trajnimin përkatës, datat e lindjes, statusin martesor, vartësit, adresën aktuale dhe informacione të tjera të rregullta.

Një burim i paidentifikuar i Politico-s deklaroi se pas incidentit, kreu i burimeve njerëzore në Europol, Massimiliano Bettin, u vendos në leje administrative, i cili nuk dëshironte të komentonte mbi rastin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re