Nga Namir Lapardhaja
 
Nëse do të bënim një përkufizim të politikës shqiptare, mund të thoshim se “ajo është ngrënia e lyrës me mjete të tjera!”

Nuk më besoni?! Po kujtohuni pak e më thoni, kur ndokush sapo ka filluar një punë të re në shtet, si e pyesim ne? A nuk i themi: “Ere, del ndonjë gjë për të ngjyer?!” A nuk është lyrë ajo që mund të ngjyhet?!
Ose, një detaj tjetër: bëj analizat e gjakut kur je në opozitë dhe pa pushtet, gjithçka është në rregull, je si kokrra e mollës. Sapo merr pushtet dhe mundësisht zë edhe ndonjë post, sheh yndyrnat që të kanë kapluar tërësisht organizmin tënd si pasojë e lyrës së madhe në gjak.
Pse është kaq e madhe lufta për pushtet?! Mos, vallë, është për karrige?! Apo për tepsi e timon?! Jo, jo, është për shkak të lyrës.
Është i pashmangshëm instikti i njerëzve që merren me politikë këtu tek ne, ata nuk mund të qëndrojnë dot pa u zhgryer në lyrë.
A nuk e keni parë se sa shpejt konsumohen ditët e pushtetit në Shqipëri, pavarësisht numrit të madh të njerëzve që të votëbesojnë?! A nuk është kjo si pasojë e lyrës së madhe, tek e cila, pasi ke mbaruar pjatën tënde, i je futur lyrës me kokë dhe shtrihesh i gjithë si peshku në lyrë.
Po opozitën a nuk e sheh se sa shpejt rend drejt pushtetit… Më falni, drejt lyrës!!! Çfarë kanë të tjerët më shumë se ne?! Po ne s’do ta ngjyejmë pak dorën në lyrë?! Dorën the?! Po fjala që bie, se lyra nuk shijon me dorë. Pasi ke mbaruar tepsinë, të hipën një dëshirë e madhe të notosh në lyrë dhe në fund, or ti, t’i fusësh turinjve një të fshirë me mëngën e bluzës. Çfarë do të fshish? Pikërisht lyrën që të pikon nga cepat e buzëve, të ka marrë cepat e mustaqeve dhe mjekrën dhe është nisur për poshtë e, nëse nuk tregohesh i kujdesshëm, është gati të të mbysë të gjithin. Kujdes, je i gjithë në lyrë. Kokë e këmbë.
Përse gjithë kjo zhgryerje në lyrë?! Për të mirën e popullit. Imagjino një popull dietik si ky i yni dhe të shihte të gjithë politikanët që ishin të kujdesshëm ndaj lyrës?!
Nuk e ngjyen ai?! Hi, hi, hi, po ai s’është për veten e tij, si mund do jetë për ne!
Ndjesë, por unë e kam bezdi lyrën! Ik, çuno, se s’je për këtë punë ti!
Hajde të ngremë një dolli me… lyrë! Më falni, por unë s’pi! Aaaa…, ke ngatërruar korsi, mor bir! Ik bëj ndonjë punë tjetër se lyra do bythë…
Ja kështu mbyllet edhe kapitulli i lyrës.
Se çfarë do të shkruaja tjetër, por po më rrëshkasin gishtat në tastierë e nuk po mundem të vijojë dot më.
Mos është lyra?!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re