Nga Blendi Gashi

Përkundër shumë kundërshtimeve nga shoqëria civile, aktorë politikë dhe shumë qytetarë, nuk është ndalur hedhja e 1 ton fishekzjarreve në koncertin e organizuar nga një bankë komerciale në Prishtinë në oborrin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” të  shtunën në mbrëmje  ku përformoi këngëtarja nga Shqipëria, Elvana Gjata.

Por (mos)ndezja e këtyre mjeteve piroteknike ka përplasur fort dikur ish-shokët e idealit, tani zyrtarë të Vetëvendosjes dhe ata të Partisë Socialdemokrate.

Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba ka dalë bashkë me qytetar në protestë dhe ka thënë se ndezja e mbi 1 ton fishekzjarrë paraqet rrezik.

“Mbi 1 ton lëndë plasëse eksplozivi (fishekzjarrë), planifikohet të ndizen sonte (mbrëmë) në Kampusin Universitarë, ‘me lejen e institucioneve’!!! Rrezik, Ndalone”, shkruan ai në Facebook.

Ndërsa asambleisti i Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani ka kritikuar kreun e komunës Shpend Ahmeti për dhënien e lejes.

“Shpendi përveç që ka bllokuar dhe kolapsuar totalisht Prishtinën, tani edhe nuk po arrin të bllokojë ata që po helmojnë qytetarët. I bëjë thirrje kryetarit të pezullojë këtë leje dhe të ndaloj këtë ndezje të fishekzjarreve, duke kushtëzuar me anulim te koncertit që ta ruajmë shëndetin e qytetarëve të Prishtinës. Apo tashmë nuk e ka këtë fuqi për të kundërshtuar e refuzuar asnjë kerkes që dëmton qytetarët e Prishtinës”, shkruan ai në Facebook.

Ndaj këtyre deklarimeve të vetëvendosësve reagoi vetë Shpend Ahmeti i cili tha se sivjet ish-bashkëpartiakët e tij po shpifin, ndërsa një vit më parë nuk kishin reaguar fare edhe pse thotë se ishin trefish më shumë fishekzjarrë të hedhura.

“Nuk mund t’i kuptoj shpifjet e ish kolegëve të mi që çdo ngjarje mundohen me keqpërdor për sulme. Vitin e kaluar kanë qenë 3000 kg në evenimentin e njëjtë ku edhe kanë qenë nëpër drejtori dhe nuk ka pas asnjë reagim. Sivjet për 1000 kg nuk lanë fjalë pa shpif”, shkruan Ahmeti në Facebook.

Sipas tij, komuna nuk lëshon leje për fishekzjarrë sepse s’e ka kompetencë, ndërsa thotë se ajo ka lëshuar pëlqim me kushtin që të marrin lejen e Universitetit të Prishtinës, ndërsa shton se për mjete piroteknike i kanë drejtuar te MPB-ja dhe policia.

Ai në Facebook ka shkruar po ashtu se si komunë do të ishin falënderues nëse paratë e fishekzjarrëve do të shkonin për mbjellje të drunjve shtesë dhe se i përkrah iniciativat qytetare kundër mjeteve piroteknike.

“Në Prishtinë, PCB ka financuar dy parqe të mëdha, në Dardani dhe Heroinat. Për këtë, i falenderojmë. Edhe në këtë rast Prishtina do të ishte falënderuese nëqoftëse paratë e fishekzjarreve do të mund të shpenzoheshin për mbjellje të drunjve shtesë”, shkruan Ahmeti..

Lidhur me këtë çështje është delaruar edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) që udhëhiqet nga Albena Reshitaj e Aleancës Kosova e Re.

“Parimisht, MMPH është kundër secilit aktivitet që si rezultat i tij ka degradim të mjedisit dhe ndotje të ajrit”, thuhet në njoftimin e MMPH-së.

Kjo ministri më tej largoi përgjegjësinë nga vetja duke shpjeguar çështjen e dhënies së lejes për raste të tilla dhe duke bërë përgjegjëse Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Dhënia e lejeve për përdorimin e fishekzjarrëve në Republikën e Kosovës është e rregulluar me Ligjin Nr. 04/L-022 PËR PËRDORIM CIVIL TË EKSPLOZIVËVE dhe kështu organ kompetent për dhënien e këtyre lejeve është Ministria e Punëve të Brendshme. MMPH beson që gjatë dhënies së lejes për përdorimin e këtyre fishekzjarrëve janë zbatuar të gjitha kriteret e kërkuara sipas këtij ligji, duke pasur në konsideratë edhe pasojat në mjedis”, thuhet në komunikatën për media të kësaj ministrie.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re