Politika shqiptare ka reaguar pas tërmetit vdekjeprurës që goditi Turqinë mëngjesin e kësaj të hëne.
Presidenti Bajram Begaj, në një reagim në rrjetet sociale ka shprehur mbështetjen me popullin e Turqisë.
“Thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme. Mendimet dhe lutjet tona të sinqerta janë me ata!”, shkruan Begaj.
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka ndarë mesazhin e saj duke garantuar ndihmën për Turqinë nga ana e Shqipërisë.
“Lutjet tona shkojnë për viktimat e tërmetit tragjik që goditi Turqinë dhe Sirinë sot duke shkaktuar qindra viktima.
Në këtë moment të vështirë ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Turqinë në çdo mënyrë që mundemi.”- shkroi Xhaçka.
Edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet e tij ndaj familjarëve që humbën të dashurit e tyre dhe ka treguar mbështetjen e Shqipërisë ndaj popullit turk në këtë humbje të madhe njerëzish.
“Sot Tirana u zgjua me lajmin e tërmetit shkatërrues në Turqi. Zemrat dhe mendjet tona shkojnë për të gjithë të prekurit dhe familjet që kanë humbur të dashurit e tyre! Jemi me ju, me kujtimet ende të freskëta nga tragjedia jonë e 26 nëntorit, por edhe me ngrohtësinë e solidaritetit mes dy kombeve tona“, shkruan Veliaj.
Edhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar pas tërmetit të rëndë në Turqi.
“Në këto momente shumë të vështira të përballjes me tërmetin shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë natën e mbrëmshme, lutjet tona shkojnë për viktimat e shumtë që humbën jetën tragjikisht, duke shpresuar për sa më pak viktima të tjera në njerëz dhe një shërim të shpejtë të të plagosurve”, shkruan Meta.