Me rastin e 8 marsit, Ditës ndërkombëtare të Gruas, politika shqiptare ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat.

Kryeparlametarja Lindita Nikolla në një postim në rr jetin social ka deklaruar se asnjë faktor a investim tjetër, as njerëzor dhe as teknologjik, nuk mund ta nxisë zhvillimin shoqëror më shumë sesa investimi te gratë dhe vajzat.

“Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, uroj nga zemra të gjitha nënat, motrat, bashkëshortet dhe vajzat shqiptare.

Këtë vit, tema e përzgjedhur  për të kremtuar këtë ditë domethënëse  është “Të investojmë te gratë, për të përshpejtuar progresin.”

Asnjë faktor a investim tjetër, as njerëzor dhe as teknologjik, nuk mund ta nxisë zhvillimin shoqëror më shumë sesa investimi te gratë dhe vajzat.

Këtë prag 8 Marsi, bashkë me gratë kryeparlamentare nga të pesë kontinentet, u mblodhëm në Paris në Samitin Botëror, themeluam Rrjetin e Grave Kryeparlamentare dhe miratuam Deklaratën për Barazinë dhe të Drejtat e Grave, në të cilën u bëmë thirrje parlamenteve të të gjitha vendeve të vendosin të drejtat e grave dhe barazinë gjinore në krye të agjendave parlamentare”, shkruan Nikolla.

Ndërsa PD, në një deklaratë për mediat ka thënë se 8 marsi është ditë proteste për gratë e vrara dhe nënat që fëmijët e tyre i kanë në emigrim. Kjo ditë sipas PD, duhet të jetë ditë proteste edhepër vajzat që nuk po marrin arsim cilësor apo edhe për gjyshet që nuk po u indeksohen pensionet, apo edhe për studentet e diplomuara që nuk po marrin vlerësimin e duhur.

“8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e gruas!

Një ditë feste por dhe proteste. Partia Demokratike është sot në krah të grave dhe vajzave, në çdo cep të Shqipërisë dhe në Diasporë, ku i ka detyruar qeverisja e Edi Ramës.

Sot është ditë feste dhe Gëzuar!

Por është edhe ditë proteste, për 19 gratë e vrara gjatë harkut kohor të një viti. Është ditë proteste, për nënat të cilave ua ka marrë emigrimi fëmijët, për vajzat që e kanë të pamundur arsimin cilësor. Për gjyshet me pensione të paindeksuara dhe barnat me çmime të papërballueshme. Për studentet që diplomohen dhe duhet ta dorëzojnë fatin e punësimit të tyre në duar patronazhistesh”, shkruan PD.

Edhe deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka deklaruar se 8 marsi duhet të jetë ditë proteste dhe reflektimi për gratë dhe vajzat.

“8 marsi ditë proteste dhe reflektimi!

Më shumë se 160 gra të vrara në 14 vitet e fundit në Shqipëri.

Mbi 2 mijë kërkesa për urdhra mbrojtjeje gjatë vitit që lamë pas

Fatkeqësisht jetojmë në një shoqëri të dhunshme dhe viktima e parë e kësaj dhune është gruaja.Mundësitë për punësim janë më të vogla për gratë sesa për burrat. Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,2%, ndërsa për burrat ky tregues është 81,7%.

Rritja e kostove të jetesës për shkak të inflacionit ka rënduar më shumë mbi gratë, sidomos për gratë kryefamiljare.Mijëra gra dhe vajza janë detyruar të emigrojnë vitet e fundit në kërkim të shpresës.

Sot nuk është një ditë feste, është një moment reflektimi për mundësitë që duhen shfrytëzuar për t’ua bërë grave jetën më të mirë”, shkruan Xhixho. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re