Besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe gjithë botën kanë festuar sot Fiter Bajramin. Ashtu si çdo vit nuk kanë munguar urimet e politikës.
Mesazhe urimi pati nga kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta, kryedemokrati Lulzim Basha, si dhe kryetarja e LSI, Kryemadhi.
Kryeministri Rama uron që Zoti t’i dëgjojë lutjet e shqiptarëve dhe t’iu japë atyre dritë e fortë.
“ ZOTI I DËGJOFTË LUTJET TUAJA E I DHËNTË DRITË E FORCË ÇDO FAMIlJEJE QË SOT FESTON DHE VETË SHQIPËRISË SË LUTJES SË SINQERTË, PUNËS SË PALODHUR, DASHURISË E PAQES MES SHQIPTARËVE Bekuar qoftë Shqipëria, bekuar qofshin shqiptarët”, shkruan Rama.
Presidenti Ilir Meta teksa ka shpërndarë urimin e Kardinal Ernest Simoni Troshani me rastin e Fiter Bajramit, ndërsa theksoi se harmonia ndërfetare është një vlerë e jashtëzakonshme kombëtare për shqiptarët.
“Harmonia e mrekullueshme ndërfetare është një vlerë e jashtëzakonshme kombëtare, aset i çmuar i historisë, traditës dhe shoqërisë tonë që duhet ta ruajmë gjithmonë fort si sytë e ballit dhe duhet të na udhëheqë për më shumë zhvillim, begati e paqe sociale!
Falenderoj Kardinal Ernest Simoni Troshani dhe të gjithë udhëheqësit e besimeve fetare në vendin tonë për mesazhet e mençura, bashkëpunuese dhe shpresëdhënëse që japin, jo vetëm në ditë feste, por veçanërisht në momente të vështira!
GËZUAR TË GJITHË BASHKË FITËR BAJRAMIN! ”, shkruan presidenti.
Basha zgjodhi Shkodrën. Ai zhvilloi një vizitë në Myftininë e qytetit verior, me rastin e festës së Fiter Bajramit.
“Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë, gjithë vëllezërve dhe motrave, gëzuar festën e Fiter Bajramit, festën e madhe të shpresës dhe besimit. Në veçanti uroj agjëruesit që kanë mbyllur një muaj sakrificash dhe sprovash. Zoti ua pranoftë agjërimin, lutjet, i begatoftë ata dhe familjet e tyre, e të gjithë shqiptarët. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, ka thënë Basha.
Urimeve për myslimanët iu bashkua edhe Monika Kryemadhi, ku nuk munguan as mesazhet politike.
“Të dashur besimtarë mylsimanë, në këtë ditë të bekuar të Fitër Bajramit, bashkoj lutjet e mia me tuajat, me shpresë për begatimin e Zotit ndaj atdheut tonë dhe të gjitha familjeve shqiptare. Zoti ua pranoftë agjërimin e sakrificat!
Ripërtëtitja shpirtërore përgjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, na dhëntë paqe me veten dhe njëri tjetrin, urtësinë për të reflektuar dhe forcën për tu ngritur mbi antivlerat që cënojnë familjen, shoqërinë e kombin tonë. Gëzuar Fitër Bajramin! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët ”, shkruan Kryemadhi.
