Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka komentuar marrëveshjen e firmosur nga qeveria shqiptare me shtetin italian për ngritjen e dy kampeve në Lezhë për strehimin e emigrantëve.
Balluku u shpreh se politikanë shqiptarë merren me ngjyrën e lëkurës së emigrantëve që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri, ndërsa shtoi se vetë shqiptarët i kanë vuajtur në kurrizin paragjykimet e të tjerëve.
“I kemi vuajtur në kurrizin tonë paragjykimet e të tjerëve pavarësisht se ngjyrën e lëkurës e kemi njësoj si europianë”, tha zv.kryeministrja.
Belinda Balluku: “Marrëveshja e firmosur nga kryeministri në Romë dhe kryeministrja e Italisë ka kaluar në qeveri gjithë procesin e parashikuar dhe do të shkojë në parlamentin shqiptar për tu ratifikuar. Nuk është një marrëveshje që ka përfunduar rrugëtimin e saj.
Kryeministri e ka bërë të qartë arsyen e kësaj marrëveshje dhe askush s’duhet të shqetësohemi për arsyen e vërtetë sepse është ajo që ka thënë kryeministri, as për qëllimin dhe kornizën juridike të kësaj marrëveshje, e cila respekton të drejtën ndërkombëtare dhe përcakton në mënyrë të detajuar detyrimet e palëve. Se si do të funksionojë prona kush do ta administrojë, sa zgjat kjo marrëveshje dhe gjithçka tjetër.
Nëse do ishte bërë mes dy shteteve të BE do të ishte normale. Ne e konsiderojmë Shqipërinë një shtet europian, ne jemi një vend përballë që na ndajmë vetëm 70 milje nga Italia dhe e kuptojmë shumë mirë problematikën që sot ka shteti fqinj. Kur vjen fjala për solidaritet jemi gjithmonë solidarë me një partner strategjik dhe të pazëvendësueshme siç është shteti italian.
Më vjen keq që kemi politikanë shqiptarë dhe shqiptarë të zellshëm në opinionin publik që për arsye të luftës politike me qeverinë merren me ngjyrën e lëkurës së emigrantëve që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri dhe me epitete të tjera.
Ne jemi një popull që e kemi vuajtur në kurrizin tonë paragjykimet e të tjerëve pavarësisht se ngjyrën e lëkurës e kemi njësoj me europianët e tjerë.
Ashtu sikundër do të ishim sot në një situatë krejt tjetër nëse ne nuk do të ishim shpëtuar nga Italia gjatë ferrit të viteve ’90.
Është një rrugë e gjatë, do të shkojë në Parlament, do e dëgjoni në komisioni. Askush nga qeveria nuk ka problem të shprehet për një marrëveshje ndërkombëtare e cila është transparente dhe secili mund ta aksesojë dhe lexojë.
