Një politikane gjermano-turke është detyruar të heq dorë nga roli i saj ekzekutiv në degën e partisë në pushtet në Berlin pasi kritikoi dhunën izraelite ndaj civilëve palestinezë në territoret e pushtuara.

Ayten Erdil, anëtare e komitetit ekzekutiv të Unionit Kristiano-Demokratik (CDU) në Berlin, dje në rrjetin social ‘Facebook’ kritikoi ashpër autoritetet izraelite pasi policia izraelite bastisi kompleksin e xhamisë Al-Aksa dhe sulmoi besimtarët palestinezë brenda vendit të shenjtë.

“Nuk është anti-semitizëm kur dikush i quan këta autorë dhe krime me emrin e tyre, janë krime kundër njerëzimit”, tha Erdil.

Dega e CDU-së në Berlin lëshoi një deklaratë ku thoshte se komentet nuk pasqyrojnë pikëpamjet e kristian-demokratëve.

“Ne në mënyrë të qartë distancohemi nga kjo deklaratë dhe po ashtu kemi biseduar me të. Ajo ka dhënë dorëheqje nga posti i saj në komitetin ekzekutiv me efekt të menjëhershëm”, tha dega e CDU-së në Berlin.

Javën e fundit kanë parë një rritje të mprehtë të tensioneve dhe dhunës në Bregun Perëndimor të pushtuar, veçanërisht në Kudsin Lindor, pas dëbimit të familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre në favor të kolonëve izraelitë.

Forcat izraelite të sigurisë të premten dhe dje përdorën forcë jo-proporcionale kundër demonstruesve dhe po ashtu sulmuan besimtarët palestinezë brenda xhamisë Al-Aksa, duke përdorur plumba gome, gaz lotsjellës dhe shok-bomba.

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 28 palestinezë janë vrarë në sulmet e vazhdueshme izraelite në Gaza.

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze njoftoi se në Kudsin Lindor të paktën 915 palestinezë janë plagosur nga 7 deri më 10 maj.

Grupet palestineze lëshuan një breshëri raketash në Izraelin jugor, ndërsa ushtria izraelite kreu sulme ajrore në Rripin e Gazës.

Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsi Lindor, konsiderohet si territor i pushtuar nga ligji ndërkombëtar, duke i bërë të gjitha vendbanimet hebreje në këtë zonë të paligjshme.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re