Polonia do t’ua mundësojë shtetasve të saj që të vendosin nëse duhet mbajtur murin me gjemba në kufi me Bjellorusinë, ka thënë ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Błaszczak.

 

Referendumi do të mbahet më 15 tetor, në ditën e njëjtë kur mbahen zgjedhjet parlamentare.

 

Votuesit polakë do të pyeten nëse e mbështesin “heqjen e barrierës në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë”, ka thënë Błaszczak.

 

Ndonëse ndërtimi i murit me gjemba është kritikuar nga politikanët opozitarë – gjatë procesit të ndërtimit – tani, duke e marrë parasysh situatën aktuale me Bjellorusinë si aleate të ngushtë të Rusisë, nuk ekzistojnë shumë zëra kundërshtues.

 

Së fundi, Polonia është e shqetësuar për aktivitetet e mercenarëve të grupit rus Wagner në Bjellorusi, si dhe për numrin në rritje të migrantëve që duan të hyjnë në Bashkimin Evropian përmes territorit bjellorus, shkruan REL.

 

Vitin e kaluar, Polonia e ka siguruar kufirin prej 418 kilometrash me Bjellorusinë, me gjemba të larta prej 5.5 metrash.

 

Javën e kaluar, ministri Błaszczak ka thënë se Polonia është duke planifikuar që të dërgojë rreth 10.000 ushtarë shtesë në kufi me Bjellorusinë, për ta mbështetur Gardën Kufitare.

 

“Ne do ta afrojmë ushtrinë më afër kufirit me Bjellorusinë për ta dëbuar agresorin, ashtu që të mos guxojë të na sulmojë”, ka thënë ai.

 

Mercenarët e Wagnerit kanë shkuar në Bjellorusi pasi i kanë dhënë fund rebelimit në Rusi, në fund të muajit qershor.

 

Ata e kanë marrë këtë vendim në kuadër të një marrëveshjeje të arritur mes presidentit rus, Vladimir Putinit dhe shefit të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, të ndërmjetësuar nga lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re