Evropa është më afër luftës se kurrë në 30 vjet, paralajmëroi ministri i jashtëm i Polonisë gjatë një raundi të tretë bisedimesh këtë javë për të lehtësuar tensionet mbi kërkesën e Rusisë që Ukraina të mos lejohet kurrë të anëtarësohet në NATO.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të 57 anëtarëve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Zbigniew Rau nuk përmendi emrin e Rusisë, por përmendi një seri konfliktesh në të cilat dyshohet se është përfshirë Moska.

“Kërcënimi i luftës në OSBE duket të jetë më i madh se kurrë në 30 vjet,” tha Rau në një fjalim duke përshkruar prioritetet e vendit të tij si kryetar i organizatës këtë vit.

“Prej disa javësh ne jemi përballur me mundësinë e një përshkallëzimi të madh ushtarak në Evropën Lindore”.

Polonia është ndër anëtaret më të zëshme të NATO-s kur bëhet fjalë për përballjen me ato që ajo i sheh si ambiciet revizioniste të Rusisë në Evropën Lindore.

“Ne duhet të fokusohemi në zgjidhjen e konfliktit në dhe rreth Ukrainës në mënyrë paqësore”, shtoi Rau, duke bërë thirrje për “respektim të plotë për sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Rusia ka vendosur rreth 100,000 trupa pranë kufijve të saj me Ukrainën, e cila tashmë po lufton separatistët e mbështetur nga Moska në lindje të saj. Rusia aneksoi rajonin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Bisedimet e së enjtes në Vjenë janë të parat këtë javë në të cilat Ukraina do të përfaqësohet dhe vetëm në një nivel më të ulët ambasadori.

Asnjë përparim nuk është bërë në bisedimet ministrore këtë javë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Gjenevë dhe Rusisë dhe NATO-s në Bruksel.

Të enjten, Kremlini i përshkroi bisedimet e sigurisë së Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n si “të pasuksesshme” dhe tha se kishte mosmarrëveshje mbi çështjet themelore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re