Jozyrtarisht, fushata elektorale ka qenë në hov të plotë prej muajsh në Poloni. Udhëheqësi i kampit nacional-populist në pushtet, Jaroslaw Kaczynski dhe lideri i opozitës liberale, Donald Tusk, po udhëtojnë në vend për të mobilizuar mbështetësit e tyre dhe për të mbledhur votuesit e zhgënjyer të kampit kundërshtar.

 

Që nga e mërkura (9.08.2023), këto aktivitete nuk duhet të maskohen më si piknike. Në të vërtetë, presidenti polak Andrzej Duda më në fund ka shpallur datën 15 tetor 2023 për votimin dhe kështu ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale.

 

Fillimi faktik i fushatës zgjedhore për partinë në pushtet PiS

 

Hezitimi i gjatë i Dudës, edhe pse ende brenda kuadrit kushtetues, i dha qeverisë një avantazh të padrejtë sipas opozitës. Në të vërtetë, takimet e shumta në të cilat zyrtarët qeveritarë vlerësonin veten dhe politikat e tyre u financuan nga fondet buxhetore – një burim që është i mbyllur për opozitën. Tani që ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, çdo zlot i shpenzuar duhet të vijë nga fondi zgjedhor i partisë dhe të llogaritet.

 

Pavarësisht këtij avantazhi fillestar, gara për mandate ka nisur në një mënyrë më pak se optimale për partinë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në pushtet. Kryeministrit Mateusz Morawiecki iu desh të shkarkonte të martën (08.08.2023) ministrin e tij të Shëndetësisë, Adam Niedzielski.

Ministri kishte shkelur rëndë rregullat e mbrojtjes së të dhënave duke zbuluar në Twitter se një mjek kritik ndaj tij i kishte bërë vetes recetë për medikamente psikotrope. Është një humbje e hidhur për partinë në pushtet, pasi Niedzielski do të luante një rol të rëndësishëm në fushatën zgjedhore. Pasardhësja e tij, deputetja dhe doktoresha Katarzyna Sojka, 37 vjeç, tani duhet të përmirësojë imazhin e PiS.

 

Temat zgjedhore të Kaczynskit: Gjermania dhe siguria

 

Përballë mungesës së suksesit në politikën ekonomike dhe sociale, Kaczynski vazhdon të mbështetet në pakënaqësi anti-evropiane dhe anti-gjermane. Në një intervistë për të përjavshmen polake të krahut të djathtë Sieci, ai e quajti Tuskun “një emisar të burokracisë së Brukselit, të dominuar nga gjermanët, e cila po përpiqet gjithnjë e më brutalisht të nënshtrojë Poloninë”. Sipas kreut të PiS, Tusku është një “burokrat i Brukselit i udhëhequr nga Berlini”. Në një paraqitje të mëparshme, ai paralajmëroi se fitorja e Tuskut do të nënkuptonte ‘fundin e Polonisë’.

 

Makina propagandistike e qeverisë reagon menjëherë ndaj çdo deklarate kritike polake nga Gjermania, për të mbajtur zgjuar ndjenjat antigjermane në vend. Për ta bërë këtë, propagandistët e krahut të djathtë nuk tërhiqen nga manipulimi. Viktima e fundit: Presidenti i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber. Në një intervistë për kanalin televiziv ZDF, politikani bavarez Weber e quajti PiS kundërshtare. Mediat polake pranë qeverisë e përkthyen këtë fjalë si “armik” dhe vazhduan sulmin: “Një goditje ndaj Polonisë”, kryesonte e përditshmja katolike Nasz Dziennik. Weber “na quajti armiqtë e tij. Është një deklaratë e re e këtij lloji. Kaq mjafton!”, ishte indinjuar Morawiecki në një video-mesazh. Kryeministri i Polonisë i kërkoi Weber-it të merrte pjesë në një duel televiziv, por lideri i EPP-së refuzoi.

 

Tanke dhe avionë luftarakë si argument fushate

 

Përveç marrëdhënieve me Gjermaninë, politika e sigurisë luan një rol të rëndësishëm për Kaczynskin. Në përgjigje të kërcënimit rus, Ministri i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak riarmatosi dhe modernizoi masivisht ushtrinë polake. Polonia po instalon brezin më modern të sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot.

 

Në SHBA, Varshava bleu avionë luftarakë F-35 dhe tanke Abrams. Por edhe për këtë temë të preferuar të qeverisë gjërat nuk po shkojnë mirë. Së fundmi, dy helikopterë bjellorusë kanë shkelur hapësirën ajrore polake, pa asnjë reagim nga mbrojtja ajrore polake.

 

Më 15 gusht 2023, qeveria në Varshavë do të ketë mundësinë të rivendosë imazhin e forcave të armatosura. Në këtë ditë, e cila tradicionalisht kremton fitoren polake ndaj Ushtrisë së Kuqe në vitin 1920, në kryeqytetin polak do të zhvillohet një paradë ushtarake. Armët moderne duhet t’u bëjnë përshtypje qytetarëve dhe t’i shtyjnë ata të besojnë dhe të votojnë PiS.

 

Për të tërhequr më shumë njerëz në votime, Kaczynski huazoi një truk nga Viktor Orban-i. Një referendum për imigracionin duhet të organizohet në të njëjtën kohë me zgjedhjet legjislative, si në Hungari. Në vitin 2015, kjo temë e anoi peshoren në favor të PiS, por këtë herë, atmosfera në vend duket më pak e ashpër ndaj emigrantëve.

 

Tusku dëshiron të mobilizojë me “marshin e milionave”

 

Që kur planet e opozitës për të kandiduar në zgjedhje me një listë të përbashkët dështuan, Tusk ka synuar fitoren e vetme të partisë së tij. Platforma e tij Qytetare (PO) duhet të dalë nga zgjedhjet si forca më e fortë me një avantazh prej pesë përqind, tha ai, sepse ligji zgjedhor polak favorizon partinë më të fortë. Në shumicën e sondazheve, PiS është në vendin e parë, por epërsia e PiS ndaj PO tani është vetëm disa pikë përqindjeje.

Si partia libertariane antisistem Konfederacja ashtu edhe koalicionet e mundshme të PO – e majta dhe aleanca kristiandemokratike Polska2050/PSL – janë shumë prapa.

 

Testi i fundit parazgjedhor i opozitës liberale para votimit pritet të jetë “Marshi i milionave” i 1 tetorit 2023 në Varshavë, për të cilin ka bërë thirrje Tusk. Të drejtat e grave duhet të jenë në qendër të kësaj demonstrate. Tusku gjithashtu i stilizon zgjedhjet legjislative si një luftë midis së mirës dhe së keqes.

 

Dy rivalët kryesorë, Tusku dhe Kaczynski, bien dakord në një pikë: zgjedhjet e 15 tetorit 2023 do të jenë zgjedhjet më të rëndësishme që nga kthesa demokratike e vitit 1989. Në atë kohë, polakët përmbysën regjimin komunist me vota. Tani është çështja e zgjedhjes midis një Polonie liberale dhe një Polonie joliberale./DW/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re