Polonia do të propozojë vendosjen e raketave shtesë “Patriot” pranë kufirit të saj me Ukrainën, pas një oferte nga Gjermania, tha të hënën në “Twitter” ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak.

 

 

“Gjatë bisedës së sotme me palën gjermane, do të propozoj që sistemi të vendoset në kufirin me Ukrainën”, shkroi ai në Twitter.

 

 

Gjermania i ka ofruar Varshavës sistemin e mbrojtjes raketore “Patriot” për ta ndihmuar atë të sigurojë hapësirën e saj ajrore pas rrëzimit të një rakete në Poloni javën e kaluar, tha të dielën ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht.

 

 

“Raketa që goditi Poloninë duke vrarë dy persona, duket se ishte gjuajtur nga mbrojtja ajrore e Ukrainës dhe jo nga një sulm rus”, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg duke qetësuar shqetësimet fillestare se sulmi mund të nxiste një konflikt përtej kufinjve të Ukrainës.

 

 

Sistemet e mbrojtjes ajrore me bazë tokësore “Patriot” janë ndërtuar me qëllim të eliminimit të rrezikut para se raketat të godasin shënjestrën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re