Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo bëri një vizitë surprize në Irak.

Pompeo, i cili vizitoi Irakun që nuk ishte përfshirë në programin e vizitave 8 ditore në vendet e Lindjes së Mesme, u prit në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit nga Kryetari i Kuvendit, Muhammed Halbusi.  

Sekretari amerikan gjatë vizitës në Bagdad fillimisht u prit në takim nga Presidenti, Berhem Salih dhe më pas nga Kryeministri Adil Abdulmehdi

Sipas komunikatës së bërë në faqen zyrtare të Presidencës së Irakut, Salih dhe Pompeo gjatë takimit të zhvilluar prapa dyerve të mbyllura për media në Pallatin Selam biseduan në lidhje me zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon.

Ndërkohë që Presidenti Salih vuri theksin në rëndësinë e dialogut konstruktiv mes palëve për të vendosur paqen dhe sigurinë dhe për uljen e tensionimit dhe mënjanimin e destabilitetit, ai tërhoqi vëmendjen edhe në domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar për t’i dhënë fund radikalizmit dhe terrorizmit.

Presidenti Salih gjithashtu bëri të ditur se dëshirojnë të ndërtojnë marrëdhënie të ekuilibruara me vendet aleate dhe mike të bazuara në respektin e sovranitetit të Irakut.

Ndërkaq Sekretari amerikan, Mike Pompeo deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës Irakun e shikojnë si një partner të rëndësishëm dhe strategjik në fushat politike, të sigurisë dhe ekonomisë, ndërsa shtoi se janë të gatshëm të kontribuojnë dhe investojnë në rindërtimin e Irakut, posaçërisht në zonat e spastruara nga organizata terroriste DAESH.

Pas takimit me Presidentin Salih, Sekretari Pompeo zhvilloi një takim edhe me Kryeministrin e Irakut, Adil Abdulmehdi.

Në komunikatën me shkrim që Departamenti amerikan i Shtetit e bëri për takimin në fjalë u vu theksi në rëndësinë që i kushtohet integritetit dhe sovranitetit të Irakut, ndërsa u tha se ShBA-ja do të vazhdojë të angazhohet për stabilitet, siguri dhe zhvillim me mbështetje të qeverisë së re.

Pompeo gjatë takimit me Abdulmehdi bisedoi për luftën kundër DAESH-it në Siri, ndërsa u tha se bashkëpunimi për spastrimin e rajonit nga kjo organizatë terroriste do të vazhdojë.

Tërheq vëmendjen se vizita në Irak e Sekretarit Pompeo bëhet pas reagimeve për vizitën e Presidentit Donald Trump në bazën ushtarake amerikane Ajn-ul Arab në Anbar të Irakut të bërë më 26 dhjetor dhe largimi nga vendi pa u takuar me autoritetet irakiane.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re