Që nga viti 2017 në të gjithë botën, jetojnë 962 milionë njerëz të moshës 60 vjeç e lart.

Sipas të dhënave të Departamentit të Kombeve të Bashkuara për Çështjet Ekonomike dhe Sociale (UN DESA), që nga viti 2017, popullsia prej 962 milionë njerëz të moshës 60 vjeç e lart është përllogaritur se përbën rreth 13 për qind të popullsisë globale.

Popullsia globale 60 vjeç e lart ka qenë 382 milionë në vitin 1980. Kjo shifër u rrit me dy të katërtat në 2017 duke arritur në 962 milionë. Thuhet se më shumë se dy të tretat e këtyre njerëzve jetojnë në rajonet në zhvillim.

Në vitin 2017, 1 në çdo 8 persona ka qenë në moshën 60 vjeç e lart, kurse në vitin 2020 pritet që 1 në 5 persona të jenë në moshën 60 vjeç e lart.

Vitin e kaluar janë regjistruar 137 milionë njerëz në moshën 80 vjeç dhe mbi këtë moshë dhe kjo shifër për vitin 2050 parashikohet që të arrijë në 425 milionë.

Popullsia e moshuar e cila në vitin 2050 pritet të arrijë në 2.1 miliardë persona, pritet që para vitit 2030 të kalojë popullsinë e moshës fëmijërore (0 deri në 9 vjeç), kurse deri në vitin 2050 të kalojë popullsinë e moshës së re (10 deri në 24 vjeç).

Rritja e popullsisë së moshuar në të gjithë botën kryesisht në vendet e zhvilluara shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, si rënia e nivelit të lindshmërisë, përparimet në mjekësi dhe përmirësimi në mbijetesë që karakterizon tranzicionin demografik, transmeton aa.

Që nga viti 2017 theksohet se në Afrikë jetojnë 68,7 milionë, në Azi 549,2 milionë, në Evropë 183 milionë, në Amerikën Veriore 78,4 milionë, në Amerikën Latine dhe Karaibe 76 milionë, ndërsa në Paqësor 6,9 milionë njerëz të moshës 60 vjeç e lart.

Në Afrikë, numri i njerëzve të moshës 60 vjeç e lart, i cili që nga viti 2017 është rreth 69 milionë, pritet që në vitin 2050, të rritet tre herë më shumë dhe të arrijë në rreth 226 milionë.

Në Amerikën Latine dhe Karaibe, popullsia e moshuar, e cila vitin e kaluar ishte 76 milionë, parashikohet që në vitin 2050 të jetë 198 milionë, duke u rritur me dy herë më shumë.

Ndërsa në Azi, e cila që nga viti 2017 ka një popullsi të moshuar prej më shumë se 549 milionë banorë, parashikohet të rritet në rreth 1.3 miliardë në vitin 2050.

Në Evropë, pritet rritja më e vogël e popullsisë së moshuar e cila është 183 milionë njerëz, e cila do të rritet në 247.2 milionë në vitin 2050.

Popullsia e moshuar prej rreth 78.5 milionë personash në Amerikën e Veriut do të jetë përafërsisht 123 milionë në vitin 2050 dhe popullsia e moshuar prej rreth 7 milionë banorësh në Paqësor pritet të jetë 13.3 milionë në vitin 2050.

– Dy të tretat e të moshuarve jetojnë në vendet në zhvillim

Dy të tretat e popullsisë së moshuar jetojnë në vendet që janë në zhvillim dhe numri i tyre po rritet më shpejt se në vendet e zhvilluara.

Deri në vitin 2050, 8 nga 10 njerëzit e moshuar në botë pritet të jetojnë në vendet që janë në zhvillim.

Mes viteve 2017 dhe 2050, numri i njerëzve të moshës 60 vjeç e lart në rajonet që janë në zhvillim pritet të rritet me dy herë dhe nga 652 milionë të arrijë në 1,7 miliardë.

Në 2050, të moshuarit parashikohet që të përbëjnë 35 për qind të popullsisë në Evropë, 28 për qind të popullsisë në Amerikën e Veriut, 25 për qind të popullsisë në Amerikën Latine dhe Karaibe, 24 për qind të popullsisë në Azi dhe 23 për qind në Paqësor dhe 9 për qind në Afrikë.

– Më shumë se 93 për qind e të moshuarve në Holandë jetojnë “të pavarur”

Nga 143 vende dhe rajone, mësohet se përqindja e njerëzve të moshës 60 ose më të vjetër që jetojnë “të pavarur” vetëm ose me bashkëshortët e tyre, teksa në Afganistan është 2.3 për qind theksohet se kjo normë në Holandë është 93.4 për qind. Edhe në Afrikë edhe në Evropë, norma e grave të moshuara që jetojnë vetëm në krahasim me meshkujt është dy herë më e lartë.

Në Afganistan, Taxhikistan dhe Pakistan, më shumë se 90 për qind e njerëzve të moshë 60 vjeç e më lart jetojnë me fëmijët. Ndërsa në Holandë dhe Gjermani kjo është më pak se 10 për qind.

– Në Japoni ka 2.06 milionë njerëz 90 vjeç e më lart

Sipas lajmit të publikuar shtatorin e kaluar në “Japan Times”, Japonia ka popullsinë më të vjetër në botë, me një popullsi prej 2.06 milion njerëz të moshës 90 vjeç e më lart.

Norma më e shpejtë e plakjes në botë vërehet në Japoni.

Sipas të dhënave të OKB-së për vitin 2017, njerëzit në moshën 60 vjeç e lart përbëjnë 33.4 për qind të popullsisë në Japoni. Pasuar kjo nga Italia me 29.4 për qind, Gjermania me 28 për qind, Portugalia me 27.9 për qind dhe Finlanda me 27.8 për qind.

Pritet që deri në vitin 2050 popullsia 60 vjeç ose më e vjetër në Japoni do të arrijë 42.4 për qind. Nga ana tjetër, në vitin 2017, përqindja e meshkujve të moshës 60-79 vjeç është 41 për qind dhe shkalla e femrave në të njëjtën periudhë moshe është 45 për qind. Theksohet se norma e meshkujve të moshës 80 vjeç e lart të jetë 6 për qind, ndërsa e femrave 9 për qind.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re