Nga Blendi Gashi

Sondazhi më i ri e konfirmoi LDK-në e Isa Mustafës si partinë e parë në Kosovë me mbi 30% të përkrahjes qytetare nëse zgjedhjet e parakohshme do mbaheshin së shpejti. Por këto shifra ka gjasa reale të prishen nëse kjo parti nuk arrin të ruajë unitetin e brendshëm. Dhe këtë unitet kush tjetër përveç presidentit Hashim Thaçi mund ta prish. Dhe tashmë kjo ka nisur të ndodhë, pasi krerë të lartë të LDK-së kanë nisur “kacafytjen” hapur “pro et contra” Thaçit kryenegociator të bisedimeve me Serbinë.

Ndërsa për këtë çështje ka heshtur kryetari Isa Mustafa pasi për shkak të gjendjes shëndetësore vazhdon të mos jetë aktiv në parti (ka marrë pjesë veç në një takim edhe ai është mbajtur në shtëpinë e tij), së fundmi i ka hedhur benzinë zjarrit njeriu që synon ta marrë kreun e partisë, nënkryetari Lutfi Haziri.

Edhe pse Kryesia e LDK-së ditë më parë përmes një deklarate doli hapur kundër që Thaçi t’i udhëheqë bisedimet me palën serbe, Haziri befasoi me deklaratën e tij duke thënë se partia e tij parimisht është pro që presidenti të jetë kryenegociator.

“Në parim s’jemi kundër. Kemi deputetë që kundërshtojnë, shumica e tyre ndoshta janë, por problemi është që kur të vendosë Kryesia e LDK-së përfundimisht kemi për ta ruajtur unitetin tonë. Do të reagojmë bashkë e njëjtë”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili në konferencën e përjavshme të partisë kundërshtoi Hazirin duke thënë se janë kundër përfaqësimit të presidentit në dialogun që zhvillohet në Bruksel.

“Nuk mendoj se Haziri ka thënë ashtu. Por, nëse po, atëherë nuk do të përfaqësonte qëndrimin e LDK-së, por do të ishte vetëm një deklaratë e një anëtari të LDK-së”, tha Hoti.

Këto dy deklarime kundërthënëse mes dy krerëve të LDK-së tregojnë qartë se kjo parti është para një udhëkryqi të madh dhe se Thaçi mund t’ua jap rrotullimin final ku pasojat do jenë të pariparueshme. Goditjen e parë ja dha pasi me votat e deputetëve të LDK-së erdhi në krye të Preisdencës për çka elektorati i dha goditje të madhe LDK-së.

Për të parë nëse Thaçi do ja japë goditjen e radhës LDK-së duhet pritur vendimi final të këtij subjekti rreth pranimit apo jo të presidentit si kryenegociator, pasi sipas të gjitha gjasave Kryesia e partisë do mblidhet pas deklaratës së Hazirit.

Dhe një përkrahje eventuale nga LDK për Thaçin kryenegociator përveç se do zyrtarizonte çarjen e re të LDK-së padyshim se do i shkonte tejet në favor PDK-së që renditet e dyta me 23% të përkrahjes qytetare por edhe Vetëvendosjes që renditet e treta me 21.2% sipas sondazhit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re