Gazetari Imer Mushkolaj është kthyer në personazhin e ditës në Shqipëri, pasi i përplasi disa të vërteta në fytyrë Sali Berishës, për ato që ka bërë gjatë karrierës së tij si politikan.

Kjo ka tërbuar Sali Berishën, që ka hedhur në sulm portalin e Zenit.

Në të, gazetari nga Kosova krahasohet me telefonuesit e Bashkim Hoxhës, pasi sipas portalit të Zenit, ai nuk është gazetar, se nuk bën pyetje, por konstatime.

Pra Mushkolaj, sipas portalit të Zenit, duhej ta pyeste Berishën a e ka bërë ai ’97-n, a e bëri ai Gërdecin, a i vrau 4 qytetarë më 21 janar, jo ta bënte fakt të kryer, se në fakt Berisha i ka kryer këto krime.

“Po flitet për një “gazetari” si e Imerit!

Shoh të ngazëllyer disa portale dhe gazetarë për komentet e Imer Mushkolës në një emision ku përmes skype ishte ftuar Sali Berisha!

Nisur nga ky ngazëlim i pazakontë e ndoqa sot emisionin e mbrëmshëm për t’u njohur me Mushkolën.

Ajo që më ra në sy ishte se Mushkola, si gazetar i ftuar nuk kishte bërë asnjë pyetje.

Asnjë!

Nervozizmi i Berishës kur Mushkola e cilësoi si paqësore protestën e 21 janarit të vitit 2011, ishte i lartë dhe i kërkoi drejtuesit të emisionit të nxirrte pamjet e “protestës më të dhunshme të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri”.

Pamjet nuk kishin nevojë për koment.

Por Mushkola ja arriti qëllimit.

Prishi emisionin!

Që në fillim të emisionit ishte e qartë se ai nuk dëshironte të lejonte të fliste z. Berisha.

Mushkola mund të jetë prokuror, mund të jetë aktivist politik, mund të jetë njeri i mllefosur për 1001 arsye, por kurrsesi nuk mund të jetë gazetar.

Mushkola mund të sillet si politikan i mllefosur, mund të flasë si historianët e kohës së Enver Hoxhës, mund të flasë si tifoz i sëmurë në kafenenë e lagjes, por është gabim t’i thuash gazetar.

Gazetari flet me fakte dhe nuk bën propagandë. Gazetari bën pyetje dhe nuk lëshon pretenca.

Gazetari citon fakte të ditura dhe fakte që i zbulon vetë. Gazetari nuk flet me thashetheme dhe me sllogane të tipit, “këtë e dinë të gjithë”.

Mushkola në fakt më kujtoi një tip social që është shfaqur këto 20 vitet e fundit në Shqiëpri.

Më kujtoi fiks, me fjalët e tij, telefonuesit anonimë, nga ata që ende besojnë se ishin më mirë në kohën e kooperativave, telefonuesit që marrin në telefon Bashkim Hoxhën në mëngjes dhe dënojnë Sali Berishën.

Me të vetmin dallim. Telefonuesit që nuk ja falin Sali Berishës atë që i ka bërë komunistëve dhe socialistëve, janë anonimë. Imer Mushkola doli me zë dhe figurë.

Në fakt shoh që ata që po e quajnë gazetar, vetëm gazetar nuk janë, ose janë “gazetarë” si Imeri”, thuhet në shkrimin pa emër të botuar në portalin e familjes Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re