
Fundjava që lamë pas ka shënuar një fluks të lartë të hyrje-daljeve, ku nëpërmjet Portit të Durrësit, pikës kufitare detare kryesore në vend kanë lundruar në total 33 327 udhëtarë.
Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur sot se nga 14-17 gusht 2025, në Terminalin e Trageteve në Portin e Durrësit janë regjistruar 10 891 pasagjerë që kanë hyrë në vendin tonë dhe 2,881 automjete.
Ndërsa kanë dalë nga vendi ynë një numër më i lartë prej 22 436 udhëtarë, dhe 6 001 automjete.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në dy javët e para të muajit gusht, përmes Portit të Durrësit kanë lëvizur gjithsej 117 006 udhëtarë dhe 31 602 automjete, shifra që konfirmojnë intensitetin e qarkullimit dhe rolin kyç të këtij porti në lëvizjen sezonale të qytetarëve, sidomos atyre që kthehen nga emigracioni për pushime në atdhe.
Ndërkohë në Terminalin e Trageteve vijon zbatimi i planit të masave në funksion të fluksit të shtuar të udhëtarëve, ku falë bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve portuale, doganore, operatorëve privatë dhe sigurisë, operacionet u zhvilluan normalisht, me përqendrim të veçantë në përpunim efikas dhe pa vonesa të udhëtarëve.
