Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, është shprehur se Porti i Durrësit do të mbyllet pas 2700 vitesh dhe do të kthehet në një vendparkim për varkat dhe jahtet.

Komentet Bylykbashi i bëri gjatë takimit përmbyllës të fushatës në Durrës, ku i pranishëm ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Bylykbashi tha se antikiteti i qytetit është i groposur nën betonin e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako dhe i bëri thirrje qytetarëve që në 14 maj të votojnë ndryshimin.

“Nën këto pllaka që nuk tregojnë asnjë lloj vizioni, gjendet e groposur histori 3 mijë vjeçare. Për këtë qytet është përplasur Athina me Spartën, këtu ka jetuar Pirrua i Epirit. Këtu janë përballur Çezari dhe Pompeu për drejtimin e Romës. Durrësi është një qytet-port.

Antikiteti është varrosur në betonin e Vangjush Dakos. Plazhi i madh është zhdukur. Sot po i zhdukin edhe rërën. Porti i madh i Durrësit do të mbyllet pas 2700 vitesh. Një nga portet më të mëdha në Adriatik do të kthehet në një parkim për 250 jahte apo varka. Ndërkohë do të krijojnë vetëm 3 porte të vegjël, njëri ngjitur me tjetrin në një vizion kjoskash.

Nyja e madhe e dikurshme, ku fillonte trafiku detar, rrugor dhe hekurudhor do të ikë nga Durrësi. Igli Cara ka një program të qartë e të plotë për të gjitha problemet që e kanë pllakosur këtë qytet prej vitesh. Në 14 maj kemi takimin me ndryshimin”, u shpreh Bylykbashi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re