Marina Orikum është porti i vetëm turistik, i cili është dhe pikënisja për zhvillimin e turizmit elitar në vendin tonë.

 

Nga viti në vit, interesi i mjeteve luksoze lundruese është rritur për t’u ankoruar në këtë marinë. Por sfida e menaxhimit të porteve turistike është standardi i shërbimeve.

 

“Ne duhet të rrisim sa më tepër standardet, që të kemi mundësinë e pritjes së jahteve më modern dhe më të mëdhenj. Janë ato që sjellin turizmin elitar. Ata lënë shumë të ardhura në ekonominë lokale. Marina e Orikumit e bën këtë sepse falë shërbimeve që ajo ofron, ka përfituar edhe ekonomia e rajonit të Vlorës. Njerëzit që vijnë, janë të interesuar të marina me qira dhe të shpenzojnë” – sqaron Arjan Ruhi, Drejtor Teknik Marina Orikum.

 

“Regata e Miqësisë”, apo gara e varkave me vela, që zhvillohet çdo vit nga Brindisi drejt Vlorës, do të shtrihet edhe në vitet në vijim.

 

Por kjo marrëveshje pritet të zgjerohet me të tjera porte turistike, duke e lidhur Marinën e Orikumit me destinacione që nxisin më tej industrinë detare.

 

“Duke e konsideruar të konsoliduar marrëveshjen me “Lega Navale Italiana”, ajo do të vijojë edhe për tre vite të tjera. Me mbylljen e këtij eventi kemi interes dhe nga porte të tjera. Do të bëjmë një marrëveshje me “Porto Piccolo Trieste” dhe Marina di Brindisi. Kjo do të thotë që do të ketë më shumë mjete lundruese, që do të ankorohen në marinë dhe do t’i japin më shumë stimul turizmit” – sqaroi më tej Ruhi.

Porti turistik i Orikumit është i vetmi i këtij lloji, ndaj dhe ekspertët e fushës sugjerojnë që disa të tilla duhet të ndërtohen në vendin tonë, për të zhvilluar atë që njihet me termin ‘ekonomi blu’.

 

“Ekonomi blu është në hapat e parë. Ne jemi segmenti i fundit që mungon në lidhjet me detin Adriatik. Ekonomia blu realizohet me projekte duke u fokusuar tek disa porte, siç mund të jenë marina në Vlorë, Durrës apo Porti i Limionit në Sarandë, që është në proces. Kjo sjell hapjen e industrisë nautike pra asaj detare, hap turizmin elitar.”

Pas Marinë së Orikumit, një tjetër port turistik pritet të jetë gati vitin që vjen në Sarandë, Porti i Limionit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re