Që nga viti 1950, të paktën 4,815 të mitur kanë qenë viktima të dhunës seksuale brenda Kishës Katolike Portugeze, sipas një raporti nga një komision i pavarur që mori në pyetje më shumë se 500 dëshmitarë gjatë një hetimi njëvjeçar.

“Ato dëshmi na lejuan të arrijmë në një numër shumë më të madh të viktimave, kemi llogaritur se janë të paktën 4815”, tha koordinatori i komisionit dhe psikiatri për fëmijë Pedro Strecht gjatë prezantimit të raportit përfundimtar në Lisbonë.

Komisioni sqaroi se nuk bëhet fjalë për hetim penal, sepse parashkrimi në pjesën më të madhe ka skaduar, por se krimet për të cilat ende nuk ka skaduar afati i parashkrimit i janë përcjellë organeve të drejtësisë.

Janë 25 të tilla në total.

Në fund të vitit 2021, kreu i Kishës Katolike në Portugali e ngarkoi Strecht-in të mblidhte një ekip ekspertësh dhe të hetonte fenomenin e pedofilisë brenda radhëve të kishës.

“Çrrënjosja e së keqes nga kisha”

Presidenti i Konferencës Episkopale Portugeze dhe peshkopi i Leiria-Fatima, Jose Ornelas do ta bëjë njoftimin më vonë të hënën.

Peshkopët portugez duhet të mblidhen në fillim të marsit për të nxjerrë përfundime nga raporti i pavarur dhe “të zhdukin këtë të keqe nga kisha”, tha në janar sekretari i konferencës peshkopale Manuel Barbosa.

Në prill 2022, Kardinali dhe Patriarku i Lisbonës, Manuel Clemente, shprehu gatishmërinë e tij për të “pranuar gabimet e së kaluarës” dhe “kërkojë falje” nga viktimat.

Para Portugalisë, skandalet e pedofilisë në Kishën Katolike tronditën shumë vende, nga SHBA, Irlanda, Gjermania, Franca e deri te Australi. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re