Nga Ylli Manjani

Kam bindjen se zoti Gabriel Escobar, përgjatë vizitës së djeshme, pikasi se kishte ardhur një një mjedis shumë të helmuar.

Padyshim ambasada e vendit të Tij luajti një rol shumë aktiv për të helmuar opinionin se zoti Escobar do bënte hatanë kundër Berishës dhe se do të shpallte mbretërinë e Bashës në PD.

Ajo(Ambasada) është realisht në një pozitë të vështirë sepse nuk provon dot me fakte nga realiteti ta asaj që deklaron e ndoshta edhe raporton tek shefat… Por çfarë ndodhi realisht?

Zoti Escobar ndoqi agjendën e parapërgatitur nga Ambasada. Takoi Bashën, por e la këtë të fundit të thotë ç’të dojë. Gjithçka tha Basha nuk i dëgjuam nga zyrtari Amerikan…

Takoi zonjën Xhaçka, normale sepse puna e tij është me Ministrinë e Jashtme. Takoi dhe Ramën dhe e la edhe këtë të fundit të thotë atë që donte të thoshte për Ballkanin e Hapur. Edhe atë që dëgjuam nga Rama nuk e tha zoti Escobar me gojën e tij…

Në fund, si për çudi, zoti Escobar nuk foli tek Kol Balla… Devijim agjende?!

Mendoj se ishte zgjedhje e duhur e Tij për të mos u bërë pjesë e mjedisit të helmuar shqiptar. Me pak fjalë i la të gjithë të mbyten me helmin e vet… I la edhe konspiracionistët të vetushqehen me lajme “burimore” që Sorosi nuk ka gisht te dosja e Berishës…

Në fakt nuk mund të ndodhte ndryshe. DASH shkruan raporte vjetore gjithnjë e më të zeza për Shqipërinë. Pavarësisht karagjozllëqeve që shpreh Ambasada e tyre këtu, e zeza mbi të bardhën është zyrtare.

Llogjika më sugjeron se zonjës Kim po i vjen rrotull një transferim në një detyrë tjetër… Më në fund, duhet të mësohemi se askush, po askush askush në botë nuk merr dot vendime për punët tona. Kështu ka qenë gjithmonë, pavarësisht deklaratave helmuese politike e diplomatike lokale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re