“I bëjmë thirrje kandidatit të marrë vesh se sjellja e tij është e papranueshme dhe nuk është në përputhje me nivelin e kërkuar të sjelljes nga kandidatët në zgjedhje. Gjithashtu, i bëjmë thirrje KQZ-së të ndërhyjë në kohë për të parandaluar ndikimin negativ të sjelljes së kandidatit në imazhin e qytetit dhe në integritetin e zgjedhjeve”, thuhej ndër të tjera në thirrjen e publikuar.

Brenda një kohe të shkurtër, deklarata u publikua në dhjetëra media online, duke u interpretuar si një reagim zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

“Komuniteti Mysliman ka dënuar ashpër gjestin e kandidatit të dyshes Berisha-Meta, Belind Këlliçi, i cili ka mbushur rrugët e Tiranës me foto ku ka nxjerrë gishtin e mesit”, shkruan gazetatema.net në artikullin ku ka publikuar të plotë reagimin e faqes “Xhamitë e Tiranës”.

 

Lajmi është shpërndarë në shumë media të tjera online në të njëjtin formë, në disa duke e përsëritur emërtimin “Komuniteti Mysliman”, që natyrshëm i shtyn lexuesit të mendojnë se bëhet fjalë për një qëndrim të strukturës së njohur ligjërisht nga shteti shqiptar si përfaqësuese e besimtarëve myslimanë.

Pas disa reagimeve publike, të nesërmen e publikimit të lajmin, profili në rrjetin social Facebook nga ku u shpërnda reagimi u mbyll. Gjithashtu, duke kërkuar më tej në një faqe në web me këtë emër konstatohet se informacionet, kryesisht të lidhura me besimin islam, nuk janë përditësuar prej të paktën dy vitesh. Publikimi i fundit daton në 24 Dhjetor 2021, si duket edhe në imazhin më poshtë.

Nisur nga mungesa e informacionit publik mbi këtë faqe, apo informacionit të ofruar nga vetë faqja mbi personat që e menaxhojnë atë, “Faktoje” iu drejtua Komunitetit Mysliman Shqiptar, për ta pyetur për lidhjen mes të dyjave.

Në përgjigjen drejtuar “Faktoje” në 28 prill, KMSH përgënjeshtron lidhjen çdo lidhje të mundshme me këtë deklaratë.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përgënjeshtron çdo lajm të rremë apo qëndrim nga çdo individ apo faqe në rrjetet sociale që nuk është në pronësi të KMSH.

Institucioni jonë përfaqëson të gjithë besimtarët pa dallime apo preferenca partiake e politike. Ne kemi qenë dhe jemi neutralë në çdo proces elektoral që zhvillohet në Republikën e Shqipërisë, Kushtetuta e së cilës përcakton qartë rolin e institucionit tonë”, thekson KMSH në përgjigjen e saj.

Në vijim të përgjigjes, KMSH liston edhe faqet zyrtare të këtij institucioni si më poshtë:

  • Komuniteti Mysliman i Shqipërisë – Facebook
  • Myftinia e Tiranës – Facebook
  • Bujar Spahiu, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë – Facebook
  • Lauren Luli, Myftiu i Tiranës – Facebook

Nisur nga informacionet e gjetura në rrjet dhe reagimi zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, lajmi i ndarë gjerësisht në mediat online vlerësohet si i pasaktë./Faktoje.al

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re