Skip to content

Posteri i Këlliçit/ Berisha: Më duket pak, çdo njeri ka imagjinatën e vet

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka dalë në mbrojtje të kandidatit për Tiranën, Belind Këlliçi, pas debateve që solli posteri i tij kundër korrupsionit. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha jo thjesht vlerësoi zgjedhjen e Këlliçit, por theksoi se fenomeni i korrupsionit në Shqipëri, meriton reagim edhe më të ashpër.

 

SALI BERISHA

 

“Ata që vjedhin qytetarët dhe mbrohen nga Edi Rama dhe drejtësia e tij, atë e kanë pak. Meritojnë çdo gjë tjetër! Çdo njeri duhet të marrë parasysh. Një njeri ka imagjinatën e vet dhe shprehjen e vet. Po të isha unë, ku e di ti ç’mund të zgjidhja unë. Ajo më duket pak bile, të them të vërtetën.”

 

Berisha reagoi ashpër edhe ndaj atyre që kritikojnë posterin e Belind Këlliçit kundër korrupsionit.

 

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe manipulimin e turpshëm mediatik të atyre mafiozëve që flasin në emër të myftive, anonimë. Dënoj ndërhyrjen e George Soros dhe parave të tij në fushatë, sepse rrjeti i organizatave të Sorosit, pasi e sheh se Erion Veliaj po përfundon aty ku e meriton, po hiqet si i revoltuar.

 

Erion Veliaj është i përfunduar.

 

Një njeri që krenohet me qendrimet e tij të papërgjegjshme, duke 8-fishuar, 10-fishuar taksën e ndërtimit, ka dyfishuar çmimet e ndërtimit, dhe i ka bërë apartamentet ‘mollë të ndaluar’ për të rinjtë shqiptarë, dhe të rinjtë detyrohen të marrin rrugët e të shkojnë të martohen, sepse sistemohen shumë më kollaj në Bruksel.”

 

Berisha replikoi edhe me kryeministrin Edi Rama dhe deklaratat e tij se qeveria nuk do të bashkëpunojë me kryetarët e bashkive që do t’i përkasin opozitës.

 

“Të garantoj që pas 14 majit, Rama në këtë rast po thotë të vërtetën. Se pas 14 majit nuk do t’i mbetet kohë Ramës të bashkëpunojë me njeri, përveçse të dorëzojë pushtetin dhe të shikojë punën e tij. Ky është fundi, Rama po e ndien po e kupton.”

 

Prej disa ditësh, Berisha po i mëshon mesazhit, se në rastin e një fitore të opozitës në 14 maj, së shpejti do të ketë edhe zgjedhje parlamentare.