Ish-i Dërguari Special i presidentit amerikan për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell, mund t’i bashkohet rrethit të këshilltarëve më të afërt për politikën e jashtme të presidentit të sapozgjedhur, Donald Trump.

Reuters shkruan se Grenell është një këshilltar i mundshëm i Trumpit për sigurinë kombëtare.

Gjatë mandatit të parë katërvjeçar të Trump, Grenell shërbeu si ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe Ambasador i SHBA në Gjermani.

Kur Trump u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në shtator, Grenell mori pjesë në takimin privat.

Marrëdhëniet private me liderët e huaj

Agjencia britanike thotë se marrëdhëniet private me liderët e huaj dhe shpeshherë personaliteti kaustik e kanë vënë Grenellin në qendër të polemikave të shumta.

Megjithatë, ai konsiderohet si kandidati kryesor për Këshilltar për Sigurinë Kombëtare, gjë që nuk kërkon konfirmimin e Senatit.

Ndër politikat që ai ka mbrojtur është krijimi i një zone autonome në Ukrainën lindore për t’i dhënë fund luftës atje, të cilën Kievi e konsideron të papranueshme.

Sa i përket Balkanit, Grenellit i atribuohet rrëzimi i qeverisë së parë të Albin Kurtit. Ai konsiderohet mik me Beogradin, si dhe nxitës i idesë së ndarjes së Kosovës apo këmbimit të territoreve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re