Drejtori Rajonal i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Elbasan, Xhevahir Budani ka reaguar në lidhje me një deklaratë të bërë pasditen e sotme nga ish-deputeti Luçiano Boçi i cili shprehej se pothuajse gjithë stafi i kujdesit parësor shëndetësor në Elbasan është konfirmuar pozitiv me koronavirus.

Budani pohon se nisur nga deklarata e Boçit, deri më sot nuk pasur asnjë punonjës nga NJVKSH Elbasan të prekur nga Covid-19 ndërsa sqaron se hetimi dhe gjurmimi epidemiologjik vijon pa ndërprerje.

“Nisur nga nje lajm i rreme ju sqaroj se  deri sot nuk ka dhe nuk ka patur asnje punonjes nga NJVKSH Elbasan  te prekur nga COVID-19. Hetimi dhe gjurmimi epidemiologjik vazhdon pa nderprerje.”, thotë për mediat Budani.

Boçi shkruan se situata është në rënie të lirë, teksa fajëson autoritetet shëndetësore dhe neglizhencën e qeverisë lidhur me masat e marra për të pamundësuar përhapjen e virusit.

“Situatë katastrofike e Covid-19 në Elbasan. Pothuaj gjithë personeli i Njësisë vendore të kujdesit shëndetësor, rezulton pozitiv. Situata është lënë në rënie të lirë dhe totalisht jashtë kontrollit. Asnjë karantinim, apo teste për rrethin e kontakteve të të prekurve. Rreziku është permanent dhe neglizhenca qeveritare absolute.

Asnjë masë nga Ministria e Shëndetësisë për të pamundësuar përhapjen e virusit nga kjo strukturë e shëndetit parësor, kur dihet që kontaktet e tyre me publikun janë të shpeshta. Rama e Manastirliu flasin nga kullat e… detit. Vetëm një Zot e di se si do shmanget katastrofa shëndetësore që po troket, sepse qeveria pa zot ka marrë pushime të gjata”, thotë Boçi.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re