Mijëra qytetarë morën pjesë në “Marshin për Drejtësi”, të organizuar më 2 prill në Prishtinë, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – që janë në Hagë.

Të hënën, do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999. Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza.

Njëri nga ideatorët e platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se “UÇK-ja është emëruesi ynë i përbashkët, është vlera më sublime që e kemi krijuar së bashku”.

Marshi, i organizuar nga kjo platformë nisi në orën 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. Aty, veç Tashollit, fjalën e morën edhe përfaqësues që kanë shprehur përkrahje për këtë marsh.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se sot ballëlartë e me zemër plot po marshojnë krenarë “për ata që dikur marshuan drejt lirisë”.

“Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë”, tha ai.

Vajza dëshmorit Fatmir Fazlia, Flaka, tha se UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe nuk “është organizatë kriminale, por organizatë çlirimtare”.

Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur tha se ashtu siç u shpallën të pafajshëm Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj nga Tribunali i Hagës, të pafajshëm do të shpallen edhe ata që sot po gjykohen në Hagë.

Në mënyrë të organizuar, mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës erdhën për të marshuar në kryeqytet.

“Historia jonë nuk mund të rishkruhet”, “Marshojmë për drejtësi” dhe “Drejtësi jopolitike”, ishin disa nga pankartat që protestuesit i mbanin në duar.

Më herët, ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Përveç partive opozitare, edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka mbështetur këtë iniciativë.

Më parë, organizatorët janë shprehur se “Marshi për drejtësi” është ideuar për ta ruajtur “të vërtetën për luftën e UÇK-së”.

Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi edhe ndaj ish-pjesëtarit tjetër të UÇK-së, Pjetër Shala.

Ndërsa, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e kishte shqiptuar dënimin e parë për krime lufte. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë. /rel/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re