Pasditen e djeshme autoritetet e zbatimit të ligjit në Kosovë kanë prangosur tre persona në lidhje me vrasjen e trefishtë të ndodhur në Gllogjan m 26 nëntor.

Tre të dyshuarit do të dalin këtë të dielë përpara gjykatës themelore në Pejë në orën 16:00, ku do të vendoset masa e arrestit.

Ndërkohë që në median e Kosovës është rikthyer në vëmendje historia e vetëvrasjes së një vajze, rreth një vit e gjysëm më përpara, ngjarje e cila duket se ka të bëjë me shkakun që solli tragjedinë e 26 nëntorit.

Pak ditë më parë një pistë të tillë të hetimit e bëri publike avokati i njohur në Kosovë Besnik Berisha, i cili shpjegoi se për vetëflijimin e të resë, familjarët e saj ia vinin fajin shoferit të autobusit, i mbetur viktimë e tragjedisë në Gllogjan.

Përtej këtij dyshimi, prokuroria nuk ka dhënë asnjë detaj nëse ngjarjet kanë lidhje. Ditën e djeshme prokuroria dha këtë informacion dhe refuzoi t’i përgjigjej interesit të gazetarëve për identitetin e të arrestuarve apo motivin që solli tragjedinë në Deçan.

“Pas ndodhisë kemi filluar hetimet intensive së bashku dhe me ndihmën e Prokurorit të Shteti dhe njësive relevante policore dhe pas punës intensive, me vendimin e prokurores së çështjes janë arrestuar tre persona me dyshimin se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Prokurorja ka caktuar dhe lëshuar vendimin për 48 orë ndalim dhe është në përgatitje për dorëzimin e kërkesës për masën në procedurë penale. Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit, s’mund të japim informata të tjera që do ta dëmtonin procesin e hetimeve. Ne zotohemi se edhe pas arrestimit të tyre, do të vazhdojmë me intensitet ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për ndriçimin e këtij rasti“-tha prokurori Agim Kurmehaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re