Policia e Tiranës ndaloi gjyqtarin e apelit Shkëlqim Miri, pas dyshimeve se ka konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv e pasiv.
 
Gjatë operacionit të koduar “Një vrasje e dytë” në shtëpinë e gjyqtarit 46 vjeçar pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, u gjetën rreth 34 milionë lekë.
 
Në kasafortë Miri kishte 175 mijë euro; 10 milionë lekë dhe 1,000 dollarë. Burimet thanë se në momentin e ndalimit, gjyqtari ka thënë se paratë janë kursimet e familjes, ndërsa ende nuk ka marrë një avokat.
 
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Miri është përfshirë në ndryshimin e një akuze nga vrasje, në plagosje të rëndë me dashje. Në këtë proces ka qenë i pandehur Gentian Doda nga Burreli, i ekstraduar pak kohë më parë nga Amerika. Por edhe pse nga shkalla e parë ai ishte dënuar me 20 vite heqje lirie për vrasje me dashje të dy personave, në Apel ai mori pafajësi nga gjyqtari.
 
Për këtë, gjykata autorizoi kontrollin e banesës, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar KLD dhe pritet që të vendoset nëse do të jepet apo jo autorizimi për arrestin. Shkëlqim Miri ka qenë pjesë e trupës që gjykoi në Apel dosjen “Gërdeci”, por edhe anëtar në gjyqin, i cili i dha pafajësi ish-guvernatorit Ardian Fullani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re