Skip to content

Pranga një ish-eurodeputeti në Bruksel: pse u arrestua greku Giannis Lagos

Ish-anëtari i partisë së djathtë ekstreme greke Agimi i Artë dhe anëtari i Parlamentit Evropian Giannis Lagos u arrestua në Bruksel, pasi Parlamenti Evropian hoqi imunitetin e tij.

Lagos, i cili u dënua nga një gjykatë greke me 13 vjet burg dhe që i shpëtoi arrestimit duke shkuar në Bruksel, në ditën e shpalljes së vendimit, konfirmoi në Twitter se ai ishte arrestuar.

“Unë jam në një automjet të policisë belge. Hajdutët, ateistët, kundërshtarët e grekëve më çojnë në burg. Unë i qëndroj besnik Krishtit dhe Greqisë”, tha Lagos.

Parlamenti Evropian më parë i hoqi imunitetin Lagosit, u njoftua të martën në Bruksel.

Vendimi u mor me një shumicë të madhe të hënën në mbrëmje – 658 ligjvënës votuan pro heqjes së imunitetit në një votim të fshehtë, 25 kundër dhe dhjetë abstenime.

Procedura filloi me kërkesë të autoriteteve greke, njoftoi AFP.

48-vjeçari është midis rreth 40 anëtarëve të Agimit të Artë të cilët u dënuan në tetor të vitit të kaluar pas një gjyqi maratonë.

Shumica e anëtarëve të dënuar, në burg

Lagos, si i gjithë udhëheqja e Agimit të Artë, ishte në paraburgim pas vrasjes së një aktivisti antifashist në Athinë në shtator 2013.

Ai u la i lirë me kusht 18 muaj më vonë ndërsa priste gjyqin.

Ai ka pasur imunitet parlamentar që nga korriku 2019, kur u zgjodh në PE, si përfaqësues i Agimit të Artë, të cilin e la disa muaj më vonë.

Udhëheqësi i Agimit të Artë Nikos Mihaloliakos dhe shumica e të dënuarve janë në burg, por një tjetër njeri nga organizata, Christos Pappas, është ende në arrati.