Detaje të reja kanë dalë nga atentati i së dielës në rrugën “Transballkanike” në Vlorë, ku u plagosen tre persona. Ne ngjarjen që tronditi qytetin bregdetar mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, 39-vjeç, djali i tij 8-vjeçar si dhe Dritan Begaj, 50-vjeç. Policia e Vlorës bën të ditur se ka arrestuar objektivin e atentatit, Ferdinand Llanajn, 39-vjeç, pasi i është gjetur në automjet një armë zjarri pistoletë pa leje. Ai akuzohet për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.
 
Deri më tani në policinë e Vlorës janë 10 persona të shoqëruar si dëshmitarë okular, ndërsa kamerat e sigurisë të disa bizneseve në zonë kanë filmuar atentatin dhe mjetin e përdorur nga dy autorët e dyshuar që janë larguar me shpejtësi. Mësohet se për të mbajtur nën kontroll grupet kriminale në Vlorë, janë dërguar forcat RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.
 
Ndërkohë në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi një armë zjarri tip pistoletë, një predhë, dy automjete, disa aparate celulare si dhe një sasi parash prej 1.6 milionë lekë të reja. Ndërkohë në Kafaraj të Fierit, autorët dogjën makinën që përdorën në atentat, ndërsa policia gjeti brenda tij dy armë zjarri kallashnikov.
 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re