11 emigrantë të paligjshëm janë ndaluar nga policia e Pogradecit në bashkëpunim me Policinë Kufitare.

Në kuadër të operacionit të koduar “Destinacioni” u prangos edhe një  35-vjeçar që transportonte me makinën e tij, refugjatët e huaj.

Policia kishte informacionë se ky shtetas transportonte me mjetin e tij furgon, disa shtetas nga vendet e treta, të cilët kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë.

Kapja e tij u bë pranë vendit të quajtur “Enkelana” dhe në momentin që ka ndërhyrë Policia ai ka tentuar të largohet, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve për të ndaluar, por pas ndjekjes së Policisë është kapur në vendin e quajtur “Gur i Kuq”.

Në mjetin furgon që po drejtonte ky shtetas u konstatuan 11 emigrantë të paligjshëm,.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi I. B.  35 vjec banues në Tiranë iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt përfitimit.

Po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë ngjarje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re