
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend amendamente për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes”.
Në kërkesën drejtuar Komisionit për Punët e Jashtme dhe Kuvendit, deputeti Gazment Bardhi thekson se ndryshimet synojnë garantimin e kushtetutshmërisë së projektligjit, duke argumentuar se Shqipëria në marrëveshjet ndërkombëtare duhet të përfaqësohet nga institucione dhe jo nga individë të përmendur me emër.
PD propozon riformulimin e titullit dhe të nenit 1 të projektligjit, si dhe shtimin e një neni të ri, ku parashikohet që Shqipëria të përfaqësohet në Bordin e Paqes nga Presidenti i Republikës ose, me autorizimin e tij, nga Kryeministri, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.


