Është pranuar Gjykimi i Shkurtuar për ish-gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxhën, dhe për personat e tjerë të arrestuar për korrupsion dhe vendime të padrejta në gjykim. Seanca e radhës raportohet se do mbahet me 25 tetor.

Me pranimin e Gjykimit të Shkurtuar, do të thotë që gjykata do marrë vendimin me vetëm provat e siguruar deri më tani dhe nuk do të thellohet më tej. Kështu Enkelejda Hoxha përfiton uljen e 1/3 së dënimit përfundimtar.

Enkelejda Hoxha u arrestua me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme pasi dyshohet se me 9 persona të tjerë kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale. Mes të arrestuarve janë, avokati Aldo Tabaku si edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar disa herë radhazi kërkesën e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha për lirim nga qelia. Ajo prej disa muajsh qëndron në paraburgim prej 5 muajsh, si e dyshuar për “korrupsion” në Gjykatën e Krujës.

Gjyqtarja ishte lakuar prej vitesh në media për lirimet e të dënuarve për jetë. Me urdhër të SPAK, Enkelejda Hoxha u arrestua bashkë me 9 persona të tjerë më 11 shkurt me akuzën e korrupsionit.

Ata u akuzuan se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re