Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tregoi se opozita do të votojë kundër ligjin për Gjykatën Kushtetuese në Kuvend.

Pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së kryetarëve, Bardhi tha se ligji i paraqitur në Kuvend është një shpërblim i qeverisë për Gjykatën, e cila nuk ka pranuar asnjë kërkesë të opozitës që godet Ramën.

“Nuk janë mohuar kurrë kërkesat për Komisionet Hetimore të opozitës. Kjo gjykatë, kjo përbërje ka guxuar ta bëjë këtë. Çdo kërkesë në mbrojtje të qytetarëve popr që godiste qeverinë e Edi Ramës është rrëzuar duke marrë në mbrojtje qeverinë dhe si shpërblim qeveria ka prezantuar një ligj që ia bën rrogën nga 4 milionë që e kanë sot, në 7 milionë lekë në muaj.”

Bardhi tha për mediat se ky ligj në fakt tenton vetëm kapjen e drejtësisë. Sipas tij, në këtë mënyrë, kryeministri ka nisur një mesazh për gjithë sistemin e drejtësisë.

“Për herë të parë në historinë 30 vjeçare të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese kjo e fundit ka pranuar rolin e saj si një agjensi qeveritare.

Duke iu drejtuar qeverisë jo Parlamentit për rritjen e pagave edhe pse gëzon pavarësi financiare. Dhe çdo gjë që lidhet me financimin do të duhet të paraqitet në Kuvend. Cilido që mashtron opinion publik duke thënë se rritja e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të forconte pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese në fakt po fsheh një pakt që në gjykimin tim është antikushtetuese por dhe kriminal për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

Kushdo që guxon t’u thotë qytetarëve që Edi Rama është burri i mirë dhe ai nuk do ta kapë, madje ai propozon një ligj që ta bëjë të pavarur thjeshtë gënjen.

Ligji i prezantuar në Kuvend sigurisht do të marrë votën kundër nga opozita parlamentare sepse është një ligj që çimenton kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga qeveria.

Edi Rama i ka nisur një mesazh drejtësisë që nëse do rritje të pagave do të duhet të sillet si GJK. Ky është mesazhi që i ka sjellë të gjithë sistemit të drejtësisë”, tha Bardhi për mediat.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re