“Foltorja” e Partisë Demokratike u ndal këtë pasdite në qytetin e Lezhë.

Kreu i PD, Sali Berisha, pasi ka përshëndetur të gjithë qytetarët dhe demokratët, u shpreh se, analiza e këtyre 35 viteve, çdo demokrati dhe demokrateje, duhet t’i shërbejë para së gjithash si një përgjegjësi, si një barrë e re për misionin e madh, misionin e ri që kemi.

Sipas Berishës, qeverisja e Partisë Demokratike solli ndryshime të mëdha për vendin.

“Dhe ashtu siç jemi ne Parti Demokratike e vlerave, e përcaktuar në rrugën tonë për realizimin e qëllimeve me mjete demokratike, ne vazhduam betejën dhe fituam në mënyrë plebishitare në vitin 2005. Vite të qeverisjes, të cilat sollën ndryshime që Shqipëria nuk i ka pasur kurrë. Sollën ndryshime thelbësore.

Shqipëria nga honet e mjerimit dhe varfërisë që ishte, ndoshta edhe shekuj, në grupin e vendeve me të ardhura më të ulëta, u ngjit në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Shqiptarët për herë të parë në historinë e tyre ishin njerëzit më të paguar në rroga dhe pensione në rajon.

U transformua infrastruktura. U anëtarësua vendi në NATO. Arsimi mori një pamje tjetër. Shqipëria ecte me hapa të sigurta drejt integrimit në BE.

Dhe ne në vitin 2013, humbëm zgjedhjet, pranuam rotacionin, dolëm në opozitë duke treguar një besnikëri të palëkundur ndaj demokracisë dhe vlerave të saj”, tha ndër të tjera në fjalën e tij Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re