Duket se e u shfaq inteligjent Lulzim Basha kur impresionoi e po ashtu kompleksoi Kryesinë e PD-së me tezën se o duhet të pranonin se zgjedhjet ishin humbur ose se ishin vjedhur. Të dyja bashkë sipas tij nuk mund të qëndronin.

E potencon këtë tezë dhe në takimet në bazë në kuadër të fushatës për kryetar brenda partisë.

Por a qëndron kjo prerje me thikë që duket se frustron zërat që kërkojnë dorëheqjen e tij, apo mosvijimin e drejtimit të PD-së? Aspak!

E para, sepse pretendimet për vjedhje janë më së shumti një pretendim i dalë boje dhe nga përsëritja e së njëjtës gjë, pra pa ju futur analizave dhe përllogaritjeve të ftohta. Eshtë gjithashtu një pretendim i trukuar dhe nga mënyra se si dhe kur. Por dhe sikur të kishte cenim vote – vjedhje po e quajmë – si provohet që kjo vjedhje ka përmbysur rezultat?

Nga ana tjetër, janë zgjedhjet e 26 majit 1996 si precedent që rrëzojnë lehtësisht tezën e Bashës.

Çfarë ndodhi në këto zgjedhje? Hem fitoi PD por dhe hem abuzoi rëndë. Më saktë vodhi derçe. Ndodhi kjo sidomos pas bojkotit të komisioneve nga ana e opozitës. Vodhi me grushta, aq sa e çoi rezultatin në kufij të pabesueshëm: PS morri 10 deputetë(!!!), pa asnjë gjasë të ndodhte, ku në disa zona, kandidati respektiv, pra ai i PS-së, kishte marrë zero vota. Pra, s’kishte votuar as veten por PD-në. Dhe ndodhte kjo me një opozitë që vinte pas dy fitoreve elektorale: zgjedhjeve lokale dhe referendumit për Kushtetutën.

Pra, 26 maji 96-ës ishte shkallë e lartë abuzimi nga ana e PD-së, por në finale edhe fitore e saj. PS kurrë s’ka pretenduar se i ka fituar apo do i kish fituar ato zgjedhje. Vërtetues se PD i fitoi në realitet zgjedhjet e 26 majit ishin zgjedhjet lokale të pak muajve më vonë atë vit, ku PD fitoi pastër dhe pa asnjë kontestim nga PS.

Ja pra që paska precedent ku ekziston edhe humbja edhe vjedhja. Ndaj është mirë që në rastin më të parë, Basha të pyetet për 26 majin e 96-ës se si ai e gjykon. (tesheshi)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re