KUKËS- Prej më shumë se 10 orë pune e përpjekje është izoluar vatra e zjarrit në malin e Gjalicës. Punonjësit e shërbimit zjarrfikës, shërbimit pyjor dhe ato të shërbimeve publike të bashkisë Kukës mbërritën gjatë mbrëmjes pranë vatrës së zjarrit dhe punuan gjatë gjithë natës për izolimin e saj.
Pavarësisht terrenit të vështirë, i cili nuk lejonte përdorimin e mjeteve motorike vatra e zjarrit është izoluar.
Është dashur hapja e kanaleve dhe prerja e pemëve duke krijuar një perimetër sigurie për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme.
Paraprakisht kjo vatër zjarri përshkoi rreth 5 hektarë me pyje në një zonë që shtrihet ne shpatin perëndimor të malit të Gjalicës në një lartësi 1800 metra mbi nivelin e detit.
Kjo ishte vatra e parë e zjarrit e shfaqur në këtë periudhë në Kukës. Paralelisht po punohet për përcaktimin e shkaqeve të kësaj vatre zjarri./ n.m.