Ajo quhet Anisa Vogli dhe ka 12 vite qe aplikon për lotarinë amerikane, me shpresën se do të jetë një nga përfituesit. Edhe këtë vit dëshira për të aplikuar e ka mposhtur lodhjen nga pritja e gjatë.   

“Në fakt është ëndrra ime që në fëmijëri, kam 12 vjet që provoj lotarinë amerikane, në pamundësi për të gjetur një mundësi tjetër për të ikur në Amerikë provojmë lotarinë amerikane. Lodhem, por dëshira është më e madhe”, thotë ajo.

Të rinjtë shohin tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës një mundësi më të mirë për shkollim dhe karriere. Anisa tregon se në Shqipëri është e vështirë të punësohesh në profilin për të cilin ke studiuar, si dhe të rritesh profesionalisht, vetëm me meritë.  

“E shikoj si një mundësi shumë të mirë për rritje profesionale. Dhe për të arritur profesionalisht aty ku unë dua, ose mendoj të arrij. Sepse e para jetojmë këtu dhe e njohim shumë mirë sesi funksionon, është vështirë të integrohesh dhe të arrish profesionalisht, pa mbështetje, pa njohje, pa futur miq, mbase edhe lekë. Unë aktualisht punoj në një institucion financiar, por kam mbaruar studimet për shkenca politike”, shprehet ajo.   about:blank

Lotaria Amerikanë mund të aplikohet individualisht në internet, por shumë njerëz që nuk e kanë këtë mundësi zgjedhin për ta bërë këtë aplikim foto –studiot ku realizojnë edhe fotografitë, apo edhe agjencitë e ndryshme që e ofrojnë këtë shërbim. Çmimi i aplikimit të lotarisë amerikane varion 500-1000 lekë për person.

Sipas punonjëses së një agjencie që ofron këtë shërbim, këtë herë qytetarët për të aplikuar duhet të kenë me vete pasaportën dhe jo kartën e identitetit.

“Gjatë viteve të tjera ne kemi aplikuar thjesht me një kartë identiteti dhe me një foto , por rregull këtë vit është pasaporta. Duhet ta kenë se nuk bën kur bëjnë aplikimin”, u shpreh punonjësja e agjencisë.

Nga interesimi i Euronews Albania në pika të ndryshme ku bëhet aplikimi për Lotarinë Amerikane numri i aplikimeve këtë vit krahasuar me vitet e kaluara, ka rënë me 70% .

Sipas Elisabeta Bengasi-t, përfaqësuese e një agjencie turistike, një ndër shkaqet mund të jetë dhe ndikimi i pandemisë së shkaktuar nga Covid 19.

“Ne jemi një agjenci që lotarinë amerikanë kemi mbi 8 vite që e aplikojmë. Mund të them që është viti i parë që ne shohim një numër shumë të vogël të aplikantëve. Në qoftë se ne do e tregonim me përqindje mund të themi se 30 % e aplikantëve kanë aplikuar sivjet. Disa arsye janë, mbyllja e kufijve i ka bërë klientët pak më të tërhequr, pandemia globale ka bërë lëkundjen e të gjitha planeve apo kënaqësive që mund të ndjente dikush qoftë edhe për të lëvizur.

Aplikimet për lotarinë amerikane  kanë nisur më 7 tetor dhe pritet të mbyllen në datën 10 nëntor.

Edhe për vitin 2022 ambasada amerikane njofton se do të jenë në dispozicion 55,000 viza për emigrantët e shteteve të ndryshme pjesëmarrëse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re