Qyteti i Korçës edhe këtë të premte nuk ka shënuar asnjë rast të prekur me COVID-19. Burime zyrtare të siguruara pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor bëjnë të ditur se një ditë më parë nga ky qytet nuk është dërguar asnjë tampon.
Duhet thënë se qyteti më i madh në juglindje të vendit prej 9 ditësh tashmë ka shënuar vetëm 1 rast pozitiv, çka tregon punën e pandërprerë të epidemiologëve për gjurmimin e rasteve dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.
Të njëjtat burime thanë se ditën e sotme janë dërguar 7 tampona, një pjesë e tyre janë marrë në një nga hotelet ku janë karantinuar 50 shtetasit shqiptarë të ardhur vetëm tri ditë më parë nga Greqia.
Sipas burimeve, ata kanë paraqitur shenja të COVID-19 një natë më parë. Të gjithë shtetasit shqiptarë të ardhur nga vendi fqinj vazhdojnë të qëndrojnë në një hotel në periferi të këtij qyteti.