8 vjeçari Renis shkon çdo ditë në rrënojat e banesës së prishur nga IKMT në zonën e 5 Majit në Tiranë. Pavarësisht se prindërit e tij kanë rënë dakord që shtëpia të shembet, 8-vjeçari duket se është shumë i ndjeshëm për shtëpinë e tij, aq sa çdo ditë shkon aty, dhe rri i ulur.

Banorët shprehen se i vogli shkon çdo ditë dhe hera herës edhe preket kur sheh sesi kujtimet e 8 viteve që kishte së bashku me familjen e tij janë shembur para syve. Për gazetarin e Fax News, Fatjon Gjinaj ai ka treguar dhe rrëfyer emocionet e tij, ndërkohë që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë të pranishmëve në zonë.

Pjesë nga biseda:

Gazetari: Kur ke dalë nga këtu?

Fëmija: Ka nja ca ditë

Gazetari: Edhe vjen këtu, pse qëndron këtu, të merr malli për shtëpinë?

Fëmija: Vij këtu me ndejt (preket sërish)

Gazetari: Dmth të merr malli për shtëpinë, doje të jetoje prapë këtu?

Fëmija:  Po

Gazetari: I more lodrat të gjitha ti?

Fëmija: Ca i lashë, ca i mora

Gazetari: Vjen çdo ditë këtu, pse?

Fëmija: Ëhë, vij për të luajtur me shokët, kemi marrë një shtëpi me qera dhe rrimë aty. Do të doja mos të ishte prishur shtëpia.

Gjatë ditës së sotme në zonën e 5 Majit është duke u shembur një godinë shtetërore, ndërkohë që banorët me certifikatë pronësie vazhdojnë protestën. Ata thonë se nuk kanë pse të trajtohen si të pastrehë nga ana e Bashkisë së Tiranës, sa kohë që banesat e tyre i kanë me dokumente të rregullt, dhe marrëveshja që iu ofrohet ka shumë paqartësi.

Ata shprehen se në asnjë pikë të marrëveshjes që lidhet me Bashkinë e Tiranës nuk deklarohet që ata të dëmshpërblehen me çmimin real të tregut, dhe nuk mund t’iu dhurohet një pronë që e kanë të ligjshme. Gjatë ditës së djeshme u prishën 3 banesa , ku pronarët kishin pranuar marrëveshjen me Bashkinë, pjesa tjetër e banorëve shprehen të vendosur që nuk do të lejojnë shembjen./Faxweb.al

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re