Policia ka arrestuar një 30 vjeçar nën akuzën për kalim të paligjshëm të kufirit. I riu ftonte shtetas të huaj në Shqipëri se do t’i punësonte si futbollistë dhe më pas i ndihmonte të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me vendet e BE-së. Të proceduar penalisht janë edhe 9 shtetas të huaj që kishin ardhur në Shqipëri.

Nga hetimet ka rezultuar se 30-vjeçarinë bashkëpunim me disa të tjerë, siguronte ftesa fiktive për shtetas të huaj, kryesisht nga Bregu i Fildishtë me qëllimin se do t’i punësonte dhe më pas i ndihmonte ata kundrejt fitimit, për t’u larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.

Njoftimi i policisë: 

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Rinas, operacioni policor i koduar “Kontrata”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Ftonte shtetas të huaj, në Shqipëri, me pretendimin për t’i punësuar si futbollistë dhe më pas i ndihmonte ata, kundrejt pagesës, që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me vendet e BE-së, vihet në pranga 30-vjeçari.

Procedohen penalisht 9 shtetas të huaj që kishin ardhur në Shqipëri, me qëllim për të kaluar drejt vendeve të BE-së, me ndihmën e 30-vjeçarit.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve me vendet e BE-së, nëpërmjet tranzitimit në territorin shqiptar, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontrata”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. G., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi E. G., në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar, siguronte ftesa fiktive për shtetas të huaj, kryesisht nga Bregu i Fildishtë, për të ardhur në Shqipëri, me pretendimin për qëllime punësimi. Pasi shtetasit e huaj vinin në Shqipëri, 30-vjeçari i ndihmonte ata, kundrejt fitimit, për t’u larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për 9 shtetasit e huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko