Primaret e PD-së në Kamëz kanë qenë më të kontestuarat nga dy prej kandidatëve Shemsi Prençi dhe Asllan Dogjani.

Ata, në një farë mënyre kanë mbetur të habitur me numrin tepër të lartë të votave që ka marrë kundërshtari i tyre Arjan Hoxha. Kjo ka nxitur Dogjanin dhe Prençin të hedhin akuza për manipulimin e listave.

Prençi tha se Partia Socialiste është angazhuar fuqishëm për të zgjedhur kandidatin më të dobët në Kamëz. Ai madje kërkoi shpjegime nga deputeti Flamur Noka, se si ka mundësi që mori vetëm 16 vota në një zonë ku ka një pjesë të madhe të fisit të tij, vëllezër e kushërinj.

Noka nuk ka patur asnjë koment, madje e ka devijuar diskutimin duke bërë batuta. “Flasim edhe për gomat e makinës time, se më janë konsumuar pak”, tha Noka.

Rezultati i primareve të Kamzës ishte, i pari Arjan Hoxha me 2095 vota, i ndjekur nga Asllan Dogjani me 1049 vota dhe Shemsi Prençi me vetëm 207 vota.

Pjesë nga debati në emisionin “Të Paekspozuarit”:

Shemsi Prençi: Noka e di mirë përbërjen demografike, të ardhurit nga Kukësi dhe Dibra, përbëjnë 50%. Pikërisht në këto qendra votimi, ku janë më së shumti vëllezërit dhe kushërinjtë e mi, kam marrë vetëm 16 vota dhe kundërshtari im merr 422 vota dhe Asllan Dogjani merr 60 dhe unë marr vetëm 19 vota. Ka investim të madh të PS për të zgjedhur kandidatin më të dobët.

Ylli Rakipi: Përgjigju zotërisë..

Noka: Ylli, a mund të diskutojmë edhe për numrin e këpucës që ke ti?

Rakipi: 42

Noka: Faleminderit, kaq kisha.

Noka: S’kam asnjë koment

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re